Zgjidhja e ngërçit politik në Kosovë, Jahjaga merr mbështetjen amerikane

Në New York, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Evropë dhe Azi, zonjën Victoria Nuland. Bashkë kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Theks i veçantë u vu te krijimin e institucioneve të reja të Kosovë pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Në një komunikatë për media nga Presidenca e Kosovës thihet se “Presidentja Jahjaga e njoftoi zonjën Nuland për përpjekjet që po bëhen në Kosovë për krijimin e institucioneve të vendit, përfshirë konstitutimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë së re, duke theksuar se deri më tani konsolidimi i institucioneve ka qenë i lidhur ngushtë me interpretimet ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që ka dëshmuar pjekurinë politike dhe demokratike të vendit dhe partive politike për të zgjidhur kontestet përmes institucioneve të thirrura për ta bërë një gjë të tillë dhe për t'i respektuar vendimet e këtyre institucioneve të pavarura”. Në komunikatën e Presidencës, thuhet më tej se Jahjaga e theksoi rëndësinë që zgjidhja e ngërçit politik të bëhet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilëve u është besuar vota e qytetarëve për t'i çuar përpara proceset e rëndësishme. Në komunikatë thuhet po ashtu se Ndihmëssekretarja Nuland e siguroi Presidenten Jahjaga se ajo e ka mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane në përpjekjet e saj që me liderët e partive politike të Kosovës të gjejë mënyrën për të ecur përpara në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
L.V
Add new comment