Jahjaga kërkon njohjen nga Vatikani. Kardinalit Parolin: Selia e Shenjtë po i përcjell me kujdes zhvillimet në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua në New York me sekretarin për marrëdhënie me jashtë të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin. Sipas një njoftimi zyrtar, Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart vizitën e Papa Francesku në Shqipëri dhe porositë e tij për paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve. Ajo tha se kjo vizitë është një simbolikë e rëndësishme edhe për të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore dhe për raportet fqinjësore të tyre, theksohet në njoftimin e dërguar nga Presidenca e Kosovës. Duke vlerësuar procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot është e pranuar nga 108 vende të botës dhe se pranimi nga Vatikani do të kishte një rëndësi të veçantë. Sekretari për marrëdhënie me jashtë i Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin u interesua për zhvillimet aktuale në Kosovë, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe gjithë rajonit. Ai tha se Selia e Shenjtë po i përcjell me kujdes zhvillimet në Kosovë dhe përparimet në raportet në rajonin e Ballkanit.
L.V
Add new comment