Tradita e re e ndjesës publike…

Postuar në 29 Shtator, 2014 17:46

Faqja “lapsi.al” i ka rënë pas incidentit të djeshëm në takimin e Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, ku u përfshi  deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani dhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Ja sesi ka shkuar kjo punë: Kur deputeti Ristani ka marrë fjalën dhe po fliste për dhunën në parlament nga deputetët e mazhorancës, kreu i qeverisë u është drejtuar disa prej të pranishmëve me fjalët: "Jepini një gotë raki këtij". Ristani e ka dëgjuar këtë dhe është përgjigjur duke i thënë komisionerit Fyle se fakti që Kryeministri është rrugaç është një nga arsyet përse opozita nuk është në parlament. Nga PD-ja, burime zyrtare thanë për lapsi.al se Ristani i është drejtuar komisionerit Fyle ekzaktësisht me këto fjalë: "ndaj nuk kemi komunikim normal, sepse ndërsa unë flas, kryeministri më fyen si rrugaç". (http://www.lapsi.al/lajme/2014/09/29/ristani-ramës-kryeministër-rrugaç-incidenti-në-takimin-me-fylen#.VCnqLXzwr84)

Tani ngjarja nuk ka pse të merret me alarm, edhe në planin njerëzor, por edhe në planin politik. Në planin njerëzor, kjo vërejtje e kryeministrit mund t’i mirëkuptohet edhe si një lloj manifestimi i patakt i virtytit, pasojë e jehonës së vizitës së Papa Françeskut, të cilën politika e përjetoi me një përultësi, përtej standardeve europiane. Pastaj incidenti i veshit në Austri duhet të na stërvisë pak, se në takimet e Nivelit të Lartë, ndodhin edhe këto. Çfarë "shqetëson" është se mos vallë kjo “xanxa” e kryeministrit me alkoolin, paralajmëron ndonjë nismë të ngjashme me atë të ndalimit të duhanit. Në planin politik, çështja është edhe më e thjeshtë pasi për këtë ka një “traditë”:  Më 21 prill 2008, u ndryshua Kushtetuta. Pak kohë më vonë, kryeministri aktual, kërkoi falje ndaj të gjithë atyre që e kritikuan dhe që e panë këtë akt si moment të goditjes së themeleve të Republikës. Më tej, vetëm para disa muajsh, kryeministrit i shpëtoi një sharje për paraardhësin e vet, teksa ky i kishte kthyer shpinën e po fliste. Pak ditë më pas, Kryeministri bëri ndjesë publike ndaj qytetarëve për fjalorin(edhe Berisha e ka sharë shumë herë Ramën në fakt). Kësaj radhe çështja është më pa zarar, edhe pse seriozisht shumë e panevojshme. Në të vërtetë, hiq çështjen e Kushtetutës, që ishte vendim politik, të gjitha këto incidente me protagonist Edi Ramën, janë tërësisht të panevojshme dhe pa ndonjë përfitim politik. Rrjedhimisht duhet të jenë të atypëratyshme. Ndaj në rastin më të keq ne kemi të drejtë të shpresojmë se kjo sevdaja parlamentare për ta thumbuar tjetrin, do të kalojë, pasi të paktën në rastin konkret, është thjesht dhe vetëm një banalitet i stisur nga kryeministri, por ja që u bë ngjarje brenda ngjarjes së vërtetë që është takimi për të diskutuar rrugën e integrimit të Shqipërisë.

PS: Video e konferencës me komisionerin Fyle: http://www.youtube.com/watch?v=IldgsGshglM#t=55 

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.