Dekonspirimi i dëshmitarit në çështjen “Frroku”, Basha: “Dështim i shtetit. Kërkojmë ngritjen e një instrumenti që nxjerr jashtë Kuvendit të inkriminuarit”

Postuar në 01 Tetor, 2014 08:42

Partia Demokratike ka reaguar sot përmes kryetarit të saj, Lulzim Basha, për çështjen e rëndë të dekonspirimit të dëshmitarit kyç në çështjen e vrasjes së komisarit të policisë, Dritan Lamaj. Lulzim Basha madje, i ka bërë thirrje edhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar të monitorojnë me kujdes situatën, që sipas tij, po dëshmon lidhjen e qeverisë me krimin. “Në media janë publikuar, emër, mbiemër dhe foto e dëshmitarit të mbrojtur. Ky komprometim është një skandal që kalon përmasat e çdo imagjinate. Edhe regjimet, edhe në shtetet më të dështuara, dëshmitari i drejtësisë mbrohet. Rënia e dëshmitarit kyç është rënia e shtetit, kapja e tij, dorëzimi i tij në këmbët e mafies të lidhur me politikën. Rama dhe Tahiri urdhëruan nxjerrjen në rrugë të pambrojtur të dëshmitarit të drejtësië për llogari të tij, të mafies që ka lidhje me Kuvendin”, tha Basha. Mund të kuptohen arsyet politike se pse PD-ja reagon për këtë çështje përmes numrit një të saj. Kjo pasi në njëfarë mënyre, problemi në fjalë, lidhet me akuzën e opozitës për penetrim të njerëzve të krimit edhe në parlament. “Çështja e skandalit që denoncojmë sot flet vetë. Kemi kërkuar për rikthimin e parlamentarizmit, s’kërkojmë asgjë më shuamë seç ofrojnë gjykatat, s’mund të pranojmë asgjë më pak. Kërkohet ndjesë publike për mos zbatimin e vendimeve të gjykatave dhe zbatimi i tyre i menjëhershëm, ndjesë për përgjegjësitë kryeministrore për strukturën e dhunës në parlament. Kërkojmë ngritjen e një instrumenti që nxjerr jashtë kuvendit të inkriminuarit. Kërkesat janë të qarta, publike, kryeministri ka 8 javë që i bën bisht përgjegjësisë, jemi ne që presim përgjigje nga ai”, tha Basha. Propozimi për instrumentet e përjashtimit nga parlamenti të të inkriminuarve, do të kërkonte një proces hetimi të së shkuarës, për të cilën Kuvendi, vështirë se ka mundësi dhe tagër. Aq më tepër pastaj, që ky problem ka natyrë politike përderisa kryeministri para disa ditësh, doli dhe deklaroi, se në përzgjedhjen e listës së kandidatëve për deputetë, në vitin 2013, është marrë si kriter dokumentar, dëshmia e penalitetit. E cila me sa duket nuk mjafton, sidomos po të mbahet parasysh sesa të informuara janë strukturat e partive kryesore për njerëzit që përzgjedhin.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.