Greqi, zbulohet mozaiku mahnitës në Amfipoli. Pasqyron një karrocë me kuaj që mendohet se drejtohet nga mbreti Filip i Dytë i Maqedonisë

Ministria greke e kulturës njoftoi sot se gjatë gërmimeve në Amfipolis u zbulua një mozaik që mbulon gjithë sipërfaqen e aneksit të dytë të varrit monumental
Mozaiku është ndërtuar me gurë të vegjël, me ngjyrë të bardhë, të zezë, gri, blu, të kuqe dhe të verdhë. Siç thuhet në njoftimin e ministrisë, “tema qendrore pasqyron një karrocë në lëvizje, që tërhiqet nga dy kuaj të bardhë dhe që drejtohet nga një burrë me mjekër, me kurorë dafine në kokë. Përpara karrocës gjendet perëndia Hermes, i veshur me tunike dhe me sandale me flatra”.
Kanali televiziv Discovery thotë se burri me mjekërr në mozaik ka gjasa të jetë mbreti Filip i Dytë i Maqedonisë, pasi kurora prej dafine që ai mban në kokë shpjegohet me faktin se ka qenë fitues në lojrat olimpike. Disçovery arsyeton se në mozaik shfaqet qëllimisht profili majtë i portretit të mbretit, pasi ai syrin e djathtë e kishte humbur në betejë.
Mozaiku shquhet për artin e veçantë në trajtimin e karakteristikave të hollësishme, sa të njerëzve aq edhe të kuajve, si dhe për harmoninë e ngjyrave. Kompozimi është bashkëkohës i kompleksit të varrit dhe datohet në çerekun e fundit të shekullit IV para erës sonë. Mozaiku ka pësuar dëmtime në qendër, në një hark me diameteër 0,80 m.
Ndërkaq, shumë copa nga pjesa e dëmtuar janë gjetur nëpër argjinaturat ranore. Ditët e ardhshme do të bëhen përpjekje për ngjitjen e pjesëve dhe restaurimin e mozaikut, me qëllim që të rikrijohet brenda të mundshmes, figura e plotë e kompozimit.
l.m
Add new comment