Çështja "Santo", reagimi i policisë ndaj "News24" lë të kuptohet për dizinformacion

Një frazë aty nga fundi i deklaratës së Policisë së Shtetit pas lajmit të News 24 për dëshmitarin e vrasësve të bankierit Artan Santo, është shumë interesante. Policia lë të kuptohet se organizatorët e vrasjes janë një grup kaq i fuqishëm sa mund të infilitrojnë dizinformacione “edhe nëpërmjet mediave”.
“Policia është e vetëdijshme që grupi kriminal që ka organizuar dhe kryer këtë vrasje të sofistikuar ka kapacitet e mjaftueshme për të hedhur në treg qoftë edhe nëpërmjet medias dizinformacione për të penguar zbulimin e të vërtetës”, thotë deklarata.
Deklarata e plotë
“Policia e Shtetit ka administruar me seriozitetin e duhur çdo informacion që i është dhënë asaj dhe falenderon të gjithë qytetarët që kanë dhënë këto informacione.
Por Policia sqaron se është e detyruar me ligj që të bëjë vlerësimin e burimeve dhe të vërtetësisë së tyre.
Policia e Shtetit ka strukturat e saj të specializuara të cilat bëjnë verifikimin e të gjitha informacioneve të marra nëpërmjet metodave dhe mjeteve të përcaktuara në ligj.
Të gjitha informacionet që jepen në Policinë e Shtetit kalojnë detyrimisht në këtë proces duke përfshirë edhe ato që mund t’i jepen Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nëpërmjet telefonit nga njerëz anonim.
Informacioni në fjalë i dhënë nëpërmjet telefonit nga një person anonim, i cili nuk ka dashur të identifikohet dhe as të marrë takim të drejtpërdrejt me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, apo me ndonjë nga Specialistët e ngarkuar me këtë hetim, është duke ndjekur këtë proces vlerësimi dhe verifikimi qysh nga data e marrjes së tij.
Drejtori i Përgjithshëm mirëpret informacionet që i vijnë atij edhe drejtpërsëdrejti ndonëse kjo nuk është procedura normale, por vlerësimi i këtij informacioni dhe verifikimi i tij bëhen nga strukturat përkatëse të hetimit.
Dhënia e një informacioni Drejtorit të Përgjithshëm nuk përbën arsye për ta vlerësuar këtë informacion më shumë se të tjerët, është grupi hetimor që bën vlerësimin dhe verifikimin e tij dhe mbi këtë bazë së bashku me Prokurorin e ngarkuar për këtë çështje përcaktohet edhe plani i veprimit që do të ndiqet.
Policia është e vetëdijshme që grupi kriminal që ka organizuar dhe kryer këtë vrasje të sofistikuar ka kapacitet e mjaftueshme për të hedhur në treg qoftë edhe nëpërmjet medias diziinformacione për të penguar zbulimin e të vërtetës.
Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarit në fjalë që të paraqitet pranë organit procedurial penal që është Policia Gjyqësore e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ose Prokuroria e Tiranës, për të dhënë informacionet që ai pretendon se ka lidhur më ketë ngjarje dhe aty do të marrë edhe përgjigjen se çfarë është bërë deri tani me informacionin e dhënë prej tij”.
a.k
Comments
Bravo Cuna!
<p>Bravo Cuna! </p>
Add new comment