Trafiku i drogës nga bregdeti verior, pesë deputetë shqiptarë të përfshirë

Postuar në 14 Tetor, 2014 04:51

Shqiptarë, italianë, malazezë. Por mbi të gjitha, deputetë të Kuvendit. Gazeta "Shqip" njofton se pesë deputetë rezultojnë të implikuar në trafikun e tonelatave të kanabisit drejt Italisë nga rrjeti kriminal, gjysma e të cilit u shkatërrua para 14 ditësh te Rana e Hedhun, pranë Lagunës së Vilunit në Velipojë, ku u sekuestruan 804 kg drogë dhe u arrestuan shtatë persona. Sipas skemës së trafikut, skafi i fuqishëm me tre motorë, me një rrugë çonte në tokën italiane mbi 5 kuintalë kanabis, të vjelë në Tepelenë, Dukagjin dhe Fushë-Krujë. “Të fortët”, shqiptarë dhe malazezë, organizonin gjithçka, që nga transporti rrugor mes përmes Shqipërisë (kryesisht droga kalonte me makina të vogla, pjesë-pjesë), apo ngarkimi në skaf (çanta të zeza), deri te çasti i dorëzimit tek italianët, ku 1 kg nuk u jepej më pak se 1 mijë euro. Në total, kohët e fundit, dyshohet se ky grup trafikoi tonelata kanabisi drejt Italisë. Kjo ishte vetëm fasada e funksionimit të një prej grupeve më të strukturuara kriminale, porse mbrojtja ishte “speciale”, pasi mendohet se të implikuar janë edhe pesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Burimet e Policisë së Shtetit, të cilat zbërthyen skemën e kësaj linje që trafikon drogë, thanë për gazetën se nga puna e gjatë hetimore, përreth një vit, por edhe pas operacionit, kishin hasur në emra “të fortësh”, policësh dhe deputetësh. Burimet nuk specifikuan as krahët politikë, të cilëve u përkasin dhe as zonat ku janë mandatuar si përfaqësues të popullit në Parlament, por siguruan që janë emra të dëgjuar rëndom nga publiku.

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.