Kor unik serb për ndeshjen e 14 tetorit. Media, politika, opinioni, por edhe kisha, vetëgozhdohen si viktima të fyerjes shqiptare

Mediat serbe duket se janë intonuar në një zë me emocionet e tifozëve, por edhe me deklaratat e politikës së Beogradit, lidhur me reagimet pas ndeshjes së datës 14 tetor. Daçiç ka folur për një rrezik botëror që mund të vijë nga Shqipëria e Madhe. Natyrisht ky është një konstatim inflacionar, por meqë sot në Serbi vjen presidenti rus, Vladimir Putin, një fjalë e mirë për fuqinë ruse, duhej thënë. Në krye të deklaratave natyrisht që qëndrojnë ato të presidentit serb, Nikoliç, apo edhe hipotezat ogurzeza të Platinisë, për mundësinë e një bombe në dronin e Beogradit. Tanimë ankthi po kalon drejt rezultateve të hetimit të UEFA-s dhe mbajtja në vëmendje e dronit dhe flamurit, po synon pikërisht kushtëzimin e një vendimi penalizues të pashmangshëm për Serbinë, me dënimin edhe të Shqipërisë. Sesa është mbarsur situata me këtë çështje, kjo mund të duket edhe në qëmtimin që mediat serbe po u bëjnë deklaratave të njerëzve të ndryshëm. Gazeta “Alo” citon futbollistin e njohur me origjinë boshnjake, Ibrahimoviç, të jetë shprehur se: “Kosova është Serbi, po aq sa nëna ime të jetë e virgjër”. Absurdi shkon më tej, kur citohet, por kjo nuk dihet sa e vërtetë është, se edhe kreu i kishës serbe, Amfilohije, paska mallkuar dronët. Për hir të së vërtetës duhet thënë se fluturimi i dronit mbi Beograd, ishte provokues, por jo provokim dhe as mundet kurrsesi të relativizojë dhunën në stadium, për dokumentimin e së cilës vetë mediat serbe po bëjnë një garë, duke publikuar gjithëfarëlloj videosh amatore. Në çdo rast, një vendim i UEFA-s që vendos aktin e flamurit si më të rëndësishëm sesa dhuna që shpërtheu, do të ishte vetëm e vetëm politik.
s.z
Add new comment