Senatori amerikan në Prishtinë. Jahjaga: Përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE, të kushtëzohet nga përparimi i marrëveshjeve me Kosovën

Postuar në 18 Tetor, 2014 06:40

Senatori Murphy takoi presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga e cila e njoftoi atë me sfidat e vendit. “Zëri i Amerikës” njofton se vizita e Senatorit Murphy ishte “shkurtuar” për shkak të bllokadës politike në Kosovë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duhet të kushtëzohet me përparimin e saj drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Kosovën. Ajo i bëri këto komente pas takimit me anëtarin e komitetit për marrëdhënie të jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, senatorin nga Connecticut, Chris Murphy, që po qëndron në Prishtinë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova si shtet i ri dhe gjithëpërfshirës po e konsolidon demokracinë e saj të brendshme, përfaqësimin e saj ndërkombëtar dhe është shndërruar në një faktor të paqes e qëndrueshmërisë dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Republikën e Serbisë.  Ajo tha se Kosova është e përkushtuar në dialogun me Serbinë, si mënyrën më të mirë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për të hapur rrugën e integrimeve me BE-në. Presidentja Jahjaga theksoi se “rezultatet e dialogut mund të gjykohen vetëm përmes përmbushjes së plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura përgjatë procesit të lehtësuar nga BE-ja dhe përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE duhet të kushtëzohet me përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel”.

 

L.V

 

http://www.zeriamerikes.com/content/kosovo-us/2487697.html

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.