Rama: Anulimi i vizitës në Serbi nuk do ishte përgjigja e merituar për gjithçka të padrejtë që iu bë Shqipërisë

Postuar në 20 Tetor, 2014 17:52

Në konferencën “Itali-Shqipëri, një partneritet evropian”, merrte pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama por edhe ish-kryeministri italian Romano Prodi. Gjatë fjalës së tij në partnershipin Shqipëri-Itali, kryeministri Rama vlerësoi lart marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa shtoi se Shqipëria është e sigurt drejt rrugës së saj Evropiane, edhe pse siç nënvizoi ai, shqiptarëve iu është mbyllur dera e Evropës më shumë se kujtdo populli tjetër. Duke iu referuar incidenteve dhe dhunës së prodhuar në ndeshjen Serbi-Shqipëri në stadiumin “Partizani” të Beogradit, por edhe retorikës ekstreme nacionaliste që pasoi, kryeministri Rama tha se Ballkani pa Evropën e shpresës, siç e cilësoi ai, është një fuçi baruti. Sipas kryeministrit, anulimi i vizitës në Beograd nuk ishte përgjigja e duhur ndaj padrejtësisë që iu bë shqiptarëve.  “Anulimi i kësaj vizite në Serbi nuk do ishte përgjigja e merituar për gjithçka të padrejtë që iu bë Shqipërisë dhe shqiptarëve në kryeqytetin serb. Por do të ishte ulja e Shqipërisë dhe shqiptarëve në nivelin e një lufte deklarative shterpë, me pasojë abortimin e procesit historik që nisi në Berlin. Askush nuk më ka marrë në telefon për të më thënë ‘mos e anulo takimin me kryeministrin serb’. Pse e them këtë, sepse unë e marr si kompliment të madh për imazhin e ri që po i japim Shqipërisë dhe për besimin që kemi krijuar tek imazhi evropian pas cenimit të rëndë që politika i bëri vendit tonë. Ne nuk na bën evropianë apo anti-europianë askush përveç vetëvetes. Shqipëria evropiane nuk është një fije bari në një fushë futbolli që mund të shkulet me një goditje, por një trung që rrënjët e veta i ka thellë në historinë e saj”, deklaroi Rama. Edi Rama nuk harroi të lëshonte edhe një batutë në formë përgjigjeje për akuzat e ardhura ndaj vëllait të tij, por edhe sportivitetit që duhet të prodhojë një ndeshje futbolli. “Pas më pak se 1 muaji u bë realitet edhe një ëndërr tjetër e shqiptarëve. Shqipëria do të luajë me Italinë. Shqiptarët do të mund të shkojnë në stadiume me flamujt e tyre, por nëse duan edhe me dronët e tyre, që tashmë shiten në supermarketet gjermane si ‘albanichedrone’ dhe kushtojnë nja 5 euro. Askush nuk e di autorin e dronit dhe vëllait tim i ra të hyjë pa bërë asgjë në listën e heronjve ballkanikë. Sa shumë ka Ballkani heronj të tillë që nuk kanë bërë asgjë”, tha Rama.

 

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.