Zyrtari i lartë Andreas Schockenhoff/ Gjermania kundër influencës ruse në Serbi e Kosovë

Berlini është shqetësuar me rritjen e influencës ruse në Ballkan, në veçanti në Serbi. Lidhur me këtë flet për “Deutsche Welle”-n, Andreas Schockenhoff, nënkryetar i grupit parlamentar të CDU-së në Bundestag. Ai thotë se kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka bërë të qartë se Serbia do të ndjekë rrugën e integrimeve evropiane. “Natyrisht që Serbia është nën presionin e madh të Rusisë. Putini po përpiqet që përmes energjisë dhe varësisë ekonomike të shtojë influencën ndaj disa vendeve në Ballkan. Kjo është një sparkatë e vështirë për Serbinë. Është fakt që Vuçiqi e ka pritur së fundi Putinin në Beograd me nderimet më të larta protokollare. Por ai nuk ka bërë lëshime ndaj Putinit dhe e ka thënë qartë se Serbia do të ndjekë rrugën evropiane. Ndaj ne duhet ta mbështesim Serbinë në këtë rrugë”. Schockenhoff shton se Rusia është duke bërë aktualisht një propagandë shumë agresive, jo vetëm në Ukrainë dhe Rusi, por edhe në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Perëndimore. Sipas tij Rusia po përpiqet ta manipulojë realitetin, duke e krahasuar gjendjen në vende të ndryshme përmes pohimeve të gabuara. Ndaj vendet si Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi po përballen aktualisht me një propagandë shumë të hapur dhe agresive të Rusisë.
L.V
http://www.dw.de/gjermania-kund%C3%ABr-influenc%C3%ABs-ruse-n%C3%AB-serbi-kosov%C3%AB/a-18125795
Add new comment