Zjarr edhe në Presidencë... Biberaj flet për “qeveri të tokës së djegur”

Një zjarr ka rënë sot në mbrëmje rreth orës 22.00 në Presidencë dhe është vënë menjëherë nën kontroll, me sa duket para se të mbërrinin gazetarët e parë në vendngjarje. Edicionet online të gazetave njoftojnë për zjarrin, por pa dhënë foto dhe as shumë detaje. Disa prej tyre flasin për një zjarr në katin e tretë të Presidencës, të tjera thonë që zjarri ka rënë në taracë. Zjarri është shkaktuar nga një kuti shpërndarëse e energjisë dhe është shuar për pak minuta nga një automjet zjarrfikës. “Pas shuarjes së zjarrit në ambjentet e Presidencës u pa të shkëputej enegjia elektrike, duke lënë totalisht në errësirë këtë institucion, deri në riparimin e defektit” – shkruan Shqiptarja.Com
Ndërkohë zjarret që kanë përfshirë gjithë hartën e vendit shpresohet t’i shuajnë... rreshjet e shiut që sipas shërbimit metereologjik pritet të rikthehen këtë fundjavë. Aleksandër Biberaj i FRD tregon sot në një editorial në të përditshmen “Panorama” (e ka titulluar “Qeveria e tokës së djegur”) një eksperiencë të vetën të këtyre ditëve në Dajt:
Shkruan Biberaj “...Para disa ditësh, me një grup të rinjsh u ngjitëm në malin e Dajtit në një lartësi mbi 1200 m, ku kishte disa vatra zjarri. Ajo që binte në sy dhe me të vërtetë të vinte keq, ishte fakti se nuk kishte asgjëkundi gjurmë shteti, nuk pamë askund gjurmë njeriu, mali digjej prej disa ditësh dhe askush nuk e pengonte këtë gjë, asnjë masë nuk ishte marrë. Pamja ishte tepër e zymtë, pyje të tëra të shkrumbuara tashmë dhe shumë vatra zjarri që vazhdonin punën e tyre. Në horizont dukej vetëm një helikopter që furnizohej me ujë në liqenin e Farkës, por nuk dukej se ku shkarkohej, gjithsesi përpiqej që të bënte diçka. U përpoqëm edhe ne gjithë paraditen për të shuar ndonjë vatër zjarri... Ne sot kemi një qeveri që na mbyt në dimër dhe na len të digjemi në verë...”
Në foto: Zjarre në Qafë Krrabë gjatë rrugës Tiranë-Elbasan
Add new comment