Zgjedhja e Erdoganit si president rihap një temë “të vjetër”. Kryeministri: “Folëm për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik”

Postuar në 13 Gusht, 2014 05:03

Zgjedhja e Erdoganit si president i Turqisë ka shërbyer edhe për një dalje të re publike të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Kështu sot njoftohet se Rama i ka nisur një mesazh urimi Erdoganit, përmes të cilit lajmëron zhvillimin e partneritetit strategjik. “Urova telefonikisht Presidentin Erdogan për zgjedhjen e tij dhe folëm për zhvillimin e mëtejshem të partneritetit strategjik mes dy vendeve”, shkruan kryeministri në “Twitter”. Mirëpo në këtë rast duhen theksuar një dy elementë që kanë kaluar pa u vënë re. Së pari, marrëdhëniet me Turqinë u promovuan me trompë të madhe që para se Edi Rama të vinte në pushtet, me një vizitë të tij në Turqi. Takimi u përsërit pas zgjedhjeve dhe përmendja e partneritetit strategjik me Turqinë, i dha shkas reagimeve nga shumë krahë, por që gjetën si zëdhënëse Partinë Demokratike dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit në një shkrim të vetin në muajin shtator te gazeta “Panorama” theksonte se partneriteti me Turqinë, “fshihte” ndër të tjera edhe një premtim të Edi Ramës ndaj Ankarasë zyrtare për Palestinën. Gjithsesi qeveria socialiste eci më tej me një vizitë të ministrit Ditmir Bushati në Turqi, ku u fol për nënshkrimin e traktatit të partneritetit strategjik, që do të nënshkruhej në Tiranë me rastin e një vizite të Davutoglusë. Më tej ambasadori ynë në Turqi, Genc Muaçj, në një intervistë për gazetën “Shekulli” në nëntor të vitit 2013 paralajmëronte se do të ishte Edi Rama, ai që në muajin dhjetor do të vizitonte Turqinë për të bërë nënshkrimin. Siç dihet asnjë nga këto zhvillime nuk ndodhi, sikurse u përfol dhe u shty disa herë vizita e Edi Ramës në Serbi. Nëse do të merren këto zhvillime dhe të analizohen në pamje të parë, atëherë me siguri mund të flitet për një lloj “ngërçi” në raportet me Ankaranë zyrtare, krahasuar gjithmonë me entuziazmin dhe protagonizmin e ditëve të para të qeverisë “Rama”. Ndaj mbetet ende për t’u parë nëse ky komunikim telefonik është më shumë një formalizëm politik, apo diçka tjetër.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.