"Zëri": Promovimi astronomik në rrjetet sociale i politikanëve në Kosovë

Postuar në 13 Prill, 2014 15:04

Politikanët në Kosovë po shpenzojnë shuma që arrijnë deri në 20 mijë euro në muaj për promovimin e tyre në rrjetet sociale. Të paktën kjo është ajo çfarë shkruan “Zëri”, që ka kryer një studim mbi këtë temë. “Shumica e postimeve të tyre në “Facebook” shihet se janë të promovuara me para, me ç’rast po harxhohen shuma astronomike për propagandën që po e zhvillojnë në rrjetet sociale. Derisa politikanët kosovarë nuk e zbulojnë koston e promovimit në rrjetet sociale, ekspertët të fushës së teknologjisë informative bëjnë të ditur se shumica e tyre së fundi kanë angazhuar ekipe, apo kompani marketingu për menaxhimin e paraqitjes së tyre në “Facebook”, “Twitter”, “Youtube”, etj. Sipas tyre, më aktivët në fushatat “online” janë kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendësi i tij, Behgjet Pacolli. I pari vlerësohet se shpenzon mesatarisht rreth 500 euro në ditë për postimet që i bënë dhe promovimin e faqes, duke synuar që ta rrisë numrin e fansave në “Facebook” shkruan “Zëri”.

Ekspertë të fushës së teknologjisë rendisin të parin kryeministrin e vendit Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli për shpenzimet që bëjnë në rrjetet sociale. Edhe pse gazeta ka adresuar pyetjet tek zyrtarë të lartë për media të liderëve të dy partive dhe që janë në krye të qeverisë, ajo nuk ka marrë përgjigje nga asnjëra palë për koston e shpenzimeve të rrjeteve sociale. “Hashim Thaçi ka rreth 150 mijë pëlqime dhe është politikani më aktivi në rrjetin social “Facebook”. Çdo lëvizje e Thaçit plasohet në faqen zyrtare të tij. Se sa buxhet shpenzohet për rrjetin social të Thaçit, sa janë shpenzuar deri tani dhe me cilat mjete buxhetore mbulohen ato, nuk ka kthyer përgjigje zyra për komunikim e kryeministrisë. Gazeta “Zëri” ka ripërsëritur pyetjet për këtë çështje edhe pse një përgjigje të tillë e ka kërkuar dhe gjatë muajit të fundit, duke tentuar të merrte një përgjigje të tillë nga kryeministria. Disa postime që Hashim Thaçi i bënë në “Facebook”, shihet që të njëjtat janë promovuar me para. Në fund të shumicës së këtyre postimeve shihet fjala “Sponsored” që do të thotë se shefi i qeverisë së Kosovës po harxhon para për propagandë kryesisht parazgjedhore që po e bën përmes rrjeteve sociale. Harxhimet në këtë drejtim janë të dy llojeve, njëri harxhim bëhet duke promovuar postime ditore dhe tjetri harxhim bëhet duke promovuar faqen personale në përgjithësi. I vetmi që ka kthyer e-mail-in kohë më parë është Petrit Selimi, zëvendësministër i jashtëm. Mirëpo, edhe përgjigja e Selimit që i është kthyer gazetës më parë nuk jep kurrfarë informacioni rreth shpenzimeve. Lideri i AKR-së dhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka rreth 152 mijë pëlqime në “Facebook”. Pas tij vjen Isa Mustafa me 74 mijë pëlqime, Ramush Haradinaj 23 mijë pëlqime, Blerand Stavileci me 25 mijë pëlqime, etj. Në rrjetet sociale përditë dhe më shumë po inkuadrohen edhe deputetë e politikanë të tjerë. Mirëpo, askush nuk ka treguar transparencë lidhur me shpenzimet buxhetore për rrjetet sociale” vijon artikulli që përmban edhe analizën e detajuar të dy ekspertëve.

Për më shumë: http://www.zeri.info/artikulli/31352/promovimi-astronomik-i-politikaneve

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.