Xhufi kritikon ashpër Presidentin Nishani: Nderoi klientët e oborrit të Sali Berishës dhe personalitete që ngjallin polemika

Pëllumb Xhufi, në një intervistë të shkurtër për gazetën “Shekulli”, lidhur me dekorimin e personaliteteve të Ballit Kombëtar, thotë se presidenti Nishani dekoroi klientët e “oborrit” të Berishës. Ai shprehet se personalitete të tilla si Bahri Omari, Abaz Kupi, Hysni Lepenica, apo Safet Butka, nuk kanë pasur një jetë drejtvizore dhe ngjallin polemika të shumta. Sipas tij vlerësimi i figurave të tilla, duhej bërë duke marrë më parë mendimin shkencor të Institutit të Historisë, apo të ndonjë institucioni tjetër. “Ta vlerësosh një prijës popullor analfabet, si Abaz Kupin, si një personalitet politik, siç bëri z. President; të ngresh Jonathan Moore, një klient të oborrit të Berishës që ka fyer inteligjencën dhe dinjitetin e shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar, në podiumin e lavdisë ku janë ngritur me meritë e të drejtë personalitete supreme si M. Albright apo W. Clark, është thjesht një rënie klasi nga ana e Presidentit të Republikës. Të nderosh Bahri Omarin me urdhrin “Nderi i Kombit” në vigjilje të 70-vjetorit të çlirimit, nuk është një vlerësim, por një përdhosje e shpërdorim figure për qëllim politik. Bahri Omari ka qenë një intelektual demokrat e patriot, i cili luftën e tij për krijimin, konsolidimin e demokratizimin e shtetit shqiptar e bëri në vitet 1910-1920, në krah të Fan Nolit dhe kundër Ahmet Zogut. Nëse Presidenti donte ta dekoronte Bahri Omarin, le ta kishte bërë këtë në 90-vjetorin e Revolucionit të Qershorit, që qëlloi pikërisht këtë vit, por që u “harrua” nga ai vetë dhe nga institucionet e tjera të shtetit. Lufta II Botërore nuk ishte lufta as e Bahri Omarit, e Lef Nosit apo e vetë Mit’had Frashërit. Atë luftë e bënë të tjerët” thotë Xhufi.
Intervista: http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=61512&kat=87
n.k
Comments
Pellumb Xhufin ta bejme
<p>Pellumb Xhufin ta bejme President. Ky i njef shume mire punet e shtetit.</p>
Add new comment