WSJ: Të shtysh zgjedhjet?

Të përballesh me stuhi të fuqishme është gjithnjë një çështje serioze dhe kështu ndodhi edhe këtë javë me uraganin Sandy, i cili bëri një rrugë shkatërruese në veri-lindje. Por, nuk i ndaloi spekulimet e marra se zgjedhjet e së martës mbrëma mund ose duhet të shtyhen për shkak të motit, - shkruan "Wall Street Journal".
I pyetur nëse presidenti Obama ka autoritetin për të shtyrë zgjedhjet, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha, “Nuk e di.” Përgjigja e saktë, sa i përket si çështjeve ligjore, ashtu edhe arsyes së shëndoshë, është "Jo", thekson gazeta.
"E marta e parë pas së hënës së parë të nëntorit" - është vendosur nga një akt i Kongresit i vitit 1845 për të gjitha shtetet për të zgjedhur përfaqësuesit e vet presidencialë. "Amerikanët janë mbërthyer pas kësaj datë, që nga ajo kohë, duke mos hequr dorë, pa marrë parasysh as rrethana si Lufta Civile, Depresioni i Madh apo Lufta e Dytë Botërore. Republika disi mbijeton", - shkruan "Wall Street Journal".
Herën e fundit kur u ngrit çështja serioze në lidhje me shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale ishte në vitin 1864, në kulmin e Luftës Civile. Atëbotë Abraham Lincoln tha se “në qoftë se kryengritja do të mund të na detyrojë të heqim dorë, ose të shtyjmë zgjedhjet kombëtare, ajo me të drejtë mund të pretendojë se na ka pushtuar dhe shkatërruar tashmë”. Një vend që nuk ia dorëzoi demokracinë e saj një kryengritjeje, nuk do ta bëjë këtë as para një stuhie, thotë WSJ. - A.N.
Add new comment