Washington Post: Hetime ndërkombëtare, të sponsorizuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së për avionin e rrëzuar

Gjatë ditëve të fundit ka pasur dëshmi të mjaftueshme se Rusia po e shton furnizimin e kryengritësve në pjesën lindore të Ukrainës me armatim të rëndë, përfshirë sistemet kundërajrore, shkruan Washington Post.
Sipas artikullit, qeveria në Kiev ka raportuar se dy aeroplanë luftarakë të saj janë qëlluar javën e kaluar, nga separatistët apo nga aeroplanët ose bateritë ruse, që operojnë matanë kufirit. Të enjten ndodhi tragjedia e madhe: shkatërrimi i aeroplanit të Malajzisë me 295 njerëz në bord.
Autoritetet e Ukrainës akuzojnë se ai ishte goditur nga raketa e lëshuar nga bateria e prodhimit rus tokë-ajër, me të cilën janë furnizuar përfaqësuesit e Moskës në Ukrainë. Nëse raportet konfirmohen, separatistët në Ukrainë dhe sponsorët e tyre në Moskë, do të jenë përgjegjës për krimin e tmerrshëm. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet duhet të insistojnë që ata që janë përgjegjës të japin llogari, përfshirë edhe ata në Kremlin, shkruan Washington Post.
Mund të parashikohet se kryengritësit kanë bërë çdo gjë të mundshme të enjten për ta fshehur atë që ka ndodhur. Ata i kanë hedhur poshtë pohimet se e kanë goditur aeroplanin, megjithëqë mbetjet e aeroplanit u rrëzuan në territorin që ata e kontrollojnë afër kufirit me Rusinë.
Komandanti i tyre, shtetas rus dhe ish-oficer ushtarak me emrin, Igor Strelkov, ka pretenduar, një një shkrim të publikuar të entjen, se e ka rrëzuar një aeroplan transportues ushtarak të Ukrainës, e pastaj e ka fshirë tekstin.
Mediat ruse të kontrolluara nga shteti, i janë bashkuar mistifikimit, duke e hedhur fajësinë në forcat ushtarake të Ukrainës dhe madje kanë sugjeruar se aeroplani i Malajzisë ishte goditur nga raketa, që ishte hedhur për ta goditur aeroplanin, në të cilin ndodhej presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Nga ana e tij, Putin në mënyrë të pasinqertë pretendoi se faji është i Ukrainës, meqë kishte ndërmarrë operacione ushtarake kundër kryengritësve, duke e injoruar furnizimin e Rusisë me armatim të rëndë për kryengritësit.
Washington Post, më tutje, shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet nuk duhet të lejojnë që Rusia dhe agjentët e vet të fshehin të vërtetën. Ata duhet të këmbëngulin për hetime ndërkombëtare, të sponsorizuara nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, për të përcaktuar se si aeroplani ishte rrëzuar dhe ku e ka origjinën armatimi i përdorur kundër tij. Qeveria e Putinit duhet të sfidohet për ta mbështetur një hetim të tillë ose duhet të shihet nga bota se e bllokon atë. /REL/
Add new comment