Vjen bekimi i Papa Françeskut, mesazh Nishanit dhe Ramës: Populli shqiptar, pasuri për mbarë kontinentin europian.

Postuar në 16 Tetor, 2014 12:23

Në një kohë kur nga Serbia vijnë qëndrime raciste dhe fyese për shqiptarët, madje dhe nga autoritetet më të larta shtetërore dhe politike, Papa Françesku falenderon shqiptarët për pritjen e ngrohtë që i rezervuan në 20 shtator dhe thotë se  populli shqiptar me vllazërinë dhe tolerancën fetare përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian.

Në një mesazh falenderimi drejtuar kreut të shtetit, Papa Françesku shprehet se udhëtimi I tij apostolik në Shqipëri do të mbetet I paharrueshëm.

 “Zoti President, në vazhdën e udhëtimit tim të paharrueshëm Apostolik, dëshiroj t’ju shpreh edhe një herë Ju, autoriteteve të tjera si dhe mbarë popullit shqiptar, mirënjohjen time nga zemra për mikpritjen e ngrohtë dhe elegante që më ofruat mua dhe atyre që më shoqëronin. U kënaqa që nëpërmjet pranisë sime munda të tregoj afërsinë time si dhe të gjithë Kishës me popullin e Shqipërisë, i cili në saje të forcës dhe rezistencës së tij në kohë vuajtjesh si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian”

Më tej në mesazhin e gjatë të falenderimit pwr presidentin Nishani, Papa Françesku inkurajon popullin e Shqipërisë të ruajë dhe kultivojë bashkëjetesën fetare, si një dëshmi mbresëlënëse e paqes dhe vllazërisë.

“Zoti President, nëpërmjet lutjeve ushqej shpresën time që ju dhe qytetarët tuaj do të jetoni me drejtësi, në paqe dhe vëllazëri dhe do të vazhdoni të dëshmoni në mënyrë mbresëlënse marrëdhëniet tuaja të respektueshme mes pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme fetare. Do të vazhdoj të lutem për ju si dhe për aspiratat tuaja për përparim autentik si dhe t’ju kërkoj lutjet tuaja për mua. Vëllazërisht, Françesku”.

Papa Françesku i përcolli edhe një falenderim të veçantë kryeministrit Rama, duke shprehur vlerësimin e madh për rininë shqiptare dhe të ardhmen e saj. "Konfirmoj dhe një herë vlerësimin tim për shembullin që Shqipëria ka treguar si në lidhje me rilindjen e Kishës Katolike, ashtu edhe me marrëdhëniet paqësore midis besimeve të ndryshme. Populli shqiptar është një nga popujt më të rinj të Europës, dhe për këtë arsye ai duhet ta shohë të ardhmen me besim të madh. Te kjo rini, gjithashtu, shtrihen rrënjët e progresit autentik shpirtëror, ekonomik dhe kulturor të kombit.

Unë shpresoj dhe dëshiroj fort që ju dhe bashkatdhetarët tuaj do të ecni gjithnjë në paqe dhe begati. Bekimi i Zotit qoftë mbi të gjithë ju! Unë do të vazhdoj të lutem për ju, z.Kryeministër, për anëtarët e familjes suaj, për bashkëpunëtorët tuaj dhe për gjithë popullin shqiptar. Ju lutem, lutuni për mua"

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.