Vjedhja në Bankën e Shqipërisë, media analizon imtësisht profilin e të arrestuarit dhe ngre disa pikëpyetje

Skema e vjedhjes në “arkën stok” të Bankës së Shqipërisë vijon të analizohet e komentohet gjerësisht në shtypin shqiptar. Gazetat japin detaje të ndryshme rreth “personazhit” të arrestuar ndërsa nuk mungojnë as pikëpyetje se si janë vjedhur rreth 700 milionë lekë përgjatë 4 viteve në një zonë rreptësisht të monitoruar e me protokoll të fortë sigurie. “Gazeta Shqiptare” shkruan se Ardian Bitraj (personi i dyshuar për vjedhjen) ka qenë i pajisur me certifikatën e sigurisë. Ndaj, sipas gazetës, pyetja që lind vetvetiu është: Si ka mundësi që një nga funksionarët kryesorë të Bankës së Shqipërisë, praktikisht njeriu që ka çelësat e “magazinës” së parave të BSH-së, një bixhozçi kronik dhe një hajdut serial, ka arritur të marrë certifikatën e sigurisë? “Afërmendsh, kjo pyetje nuk do të marrë përgjigje kurrë” shkuhet në artikull, ku ngrihen edhe disa pikëpyetje të tjera që rrjedhin nga dyshimet e ngritura.
“Arka stok” ndodhet në godinën e Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë (me zhargon: godina X) dhe procedura e kërkon që hapja e kësaj magazine të bëhet me 3 çelësa, që qëndrojnë në kasaforta të ndryshme. “Hapja dhe mbyllja bëhet me komision të veçantë dhe asnjë Ardian nuk mund ta hapë portën e magazinës i vetëm. Atëhere, cilët janë bashkëpunëtorët e Bitrajt në BSH? Pse nëpunësit e Departamentit të Emisionit ua pasonin çelësat njëri-tjetrit në mirëbesim? A janë përzgjedhur kampionë të rastësishëm në verifikimet e sasive të parave që hynin në “Arkën stok” të paktën në 5% të shumës totale që “importohej” në këtë arkë, ashtu siç e kërkon rregullorja e BSH-së?” pyet gazeta në artikull.
Për më shumë: http://www.balkanweb.com/kryesore/1/hajduti-i-bankes-se-shqiperise-hetim-per-certifikaten-e-sigurise-203122.html
Ndërsa Top Channel, bën një profil të personit të arrestuar si i dyshuari kryesor për vjedhjen. Në artikull shkruhet se në rrugën ku edhe ka banesën ekonomisti i Bankës së Shqipërisë Ardian Bitraj, banorët e zonës e njohin atë jo vetëm si frekuentues të lojërave të fatit, por edhe të pikave të basteve ku ai në këtë zonë raportohet se ka lënë shuma të konsiderueshme parash.
“Në lagje, Ardian Bitrajn e njohin të gjithë si njeriu i heshtur që ndiqte ndeshjet e futbollit dhe linte në skedina shuma të jashtëzakonshme parash. Por, pakkush flet para kameras për atë që është bërë sot personazhi më enigmatik”raporton TCH . Nuk mungojnë as dëshmitë jashtë kameras, ku ndër detajet që jepen, bie në sy ajo që punonjësit e pikave të basteve tregojnë. “Vetëm gjatë këtij Kampionati Botëror ai kishte fituar 100 mijë euro, për të lënë dhjetëfish në një ndeshje tjetër” ka treguar një punonjës i një prej pikave të basteve.
Për më shumë: http://top-channel.tv/artikull.php?id=281883
n.k
Add new comment