Vetëvrasja e studentes, mbledhje tek Ekonomiku

Postuar në 13 Qershor, 2014 09:29

Dy ditë pas vetëvrasjes së studentes së vitit të dy të të Fakultetit Ekonomik, Iris Belba, dekani i fakultetit ka zhvilluar një mbledhje me stafin pedagogjik. Mbledhja është zhvilluar dje në orën 09:00 të mëngjesit, ku mësohet se është diskutuar kryesisht në lidhje me ngjarjen.

Mësohet se në këtë takim është folur edhe rreth përgjegjësive që ka pasur gjithsecili për trajtimin e rastit konkret të studentes. Burime nga Fakulteti i Ekonomisë thanë se dekani, kancelari dhe pedagogët e pranishëm në mbledhje kanë diskutuar edhe rreth masave e nismave që duhen marrë për mbështetjen e studentëve që mund të kenë probleme të natyrës që kishte edhe 21-vjeçarja që u vetëvra të martën, në Tiranë.

Ngjarja tragjike, për të cilën dyshohet se janë bërë shkak pikërisht provimet që vajza kishte në degën e Financës, ku ajo studionte, është pasuar tashmë me heshtjen e të gjithë stafit të Fakultetit. Kryesisht pas mbledhjes së djeshme, asnjë prej pedagogëve, apo edhe sekretareve të këtij fakulteti, nuk ka pranuar të komentojë atë që ka ndodhur. Mbledhja ishte programuar të kryhej menjëherë pas ngjarjes, por duke qenë se i gjithë stafi pedagogjik dhe studentët morën pjesë të mërkurën në ceremoninë e varrimit të 21 -vjeçares në Fier, mbledhja u zhvillua dje.  S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.