Vendi bosh i Aleksandër Meksit

Kur në 24 tetor Sali Berisha u fotografua me ish- kryeministrin Aleksandër Meksi në promovimin e një albumi fotografik, kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë me autor Meksin, disa thanë që Berishës i duhej medoemos ajo fotografi. Sepse ai shtrëngim i duarve mes tyre erdhi në një moment kur Berisha sulmoi ulët shtresën e ish- të përndjekurve, që e kanë përkrahur vazhdimisht. Po ashtu, brenda së djathtës kanë lindur parti të reja, që e kanë amplifikuar idenë që Berisha nuk përfaqëson të djathtën, por është vazhdim i regjimit komunist.
Megjithatë disa media raportuan se Meksi qëndroi shumë ftohtë në raport me Berishën gjatë gjithë ceremonisë. Ja një pasazh nga shtypi i atyre ditëve (Shqiptarja.Com): “Ftohtësi edhe nga ana e ish-kryeministrit Meksi i cili gjatë gjithë kohës së aktivitetit nuk shfaqi asnjë gjest miqësor ndaj Berishës. Situata mes tyre qëndroi e ftohtë deri në fund të aktivitetit. Në mbyllje të ceremonisë Meksi qëndroi me ish-presidentët Moisiu e Meidani, ndërsa vetë kryeministri Berisha u largua nga salla me atë shpejtësi që hyri, edhe pse erdhi i fundit".
Blogjet online e quajtën me të drejtë këtë qëndrim “një ftohtësi e moralshme” e Meksit ndaj Berishës, mbi të gjitha se ishte një sjellje që kontraston dukshëm me ngerdheshjen e ulet prej sahanlepiresi që mbajnë shumë të tjerë në situata të tilla. Edhe në 22 mars, Meksi refuzoi të shkonte në festën e organizuar nga Berisha për përvjetorin e PD, megjithë telefonatat e herëpashershme të organizatorëve. Dy ditë më parë, z.Meksi refuzoi sërish të shkonte në një ceremoni të organizuar nga kryetarja e Kuvendit Topalli me ish-kryeministrat e vendit. E përditshmja DITA i ka botuar një prononcim lidhur me këtë mungesën ku thuhet: “Neveri për titujt që u shpërndanë dhe për kë i shpërndan mbi të gjitha. Gjithashtu për “përzierjen e llojeve” që kjo shpërndarje sjell”. (a.thano)
Add new comment