Vehbiu, kundër purizmit

Ardian Vehbiu do të hedhë së shpejti në treg një libër të titulluar “Kundër purizmit”. Do të botohet në nëntor nga Dudaj, në kohë edhe për Panairin e Librit në Tiranë, - mësohet nga vetë autori, i cili shton:
"Këto ditë korrigjova bocat. Libri është ndërtuar në trajtë të një eseje të vetme polemizuese, në tri pjesë, ku trajtohen çështje të pastrimit, të pastërtisë dhe të pasurimit të leksikut të shqipes së sotme, përfshi këtu edhe onomastikën, duke iu referuar debateve të viteve të fundit, ku kam marrë pjesë aktive. Purizmin e kam analizuar si praktikë të normëzimit dhe disiplinimit gjuhësor dhe kulturor, por edhe si pasqyrim të një ideologjie të cilën jemi kushtëzuar ta pranojmë krahëhapur, në emër të patriotizmit dhe të traditës rilindëse – pa çka se ai e varfëron gjuhën dhe mendimin, teksa u shërben shpesh si armë doktrinave politike etnocentrike dhe përjashtuese".
Një pjesë e materialeve të librit gjenden të shpërndara, në forma të ndryshme, në blogun “Peizazhe të Fjalës”; por libri jo vetëm i ka riorganizuar këto, por edhe shton materiale të reja.
Libri përmban "edhe pjesë të dy studimeve të mia monografike ende të pabotuara në shqip: njëri kushtuar romanit “Dranja” të Martin Camajt, dhe tjetri romanit “Kështjella”, të Ismail Kadaresë, gjithnjë në perspektivën e marrëdhënieve letrare të tekstit me leksikun dhe të leksikut me tekstin, - thotë Vehbiu. (A.N.)
Add new comment