Vazhdon komedia e Këshillit Bashkiak të Tiranës, të majtët gjejnë derën kyçur, mblidhen në paradhomë!

Të djathtët u mblodhën të enjten edhe pa pasur kuorum. Njazi Kosovrasti, i shkarkuar nga të majtët si kryetar i Këshillit Bashkiak, tha në këtë mbledhje se ka paraqitur dorëheqjen, duke u hapur rrugë të majtëve, që janë shumicë në këtë këshill të vazhdojnë punën e tyre. Të majtët kishin lajmëruar një mbledhje për të premten pasdite, por e kanë gjetur të kyçur derën e sallës së mbledhjeve. Bashkia thotë se e ka kyçur derën për shkak se nuk ka pasur një njoftim zyrtar për mbledhjen e Këshillit. Pavarësisht se salla e mbledhjeve ishte mbyllur, 28 këshilltarët e majtë e kanë nisur mbledhjen e tyre në paradhomë. Mbledhja ka nisur me betimin e Dalipit si kreu i ri i Këshillit Bashkiak dhe tre këshilltarëve të rinj. Në përfundim të mbledhjes, këshilltari Agron Bezhani tregoi se “pavarësisht se mbledhja u zhvillua në kushte jonormale, u zbatuan vendimet sipas rendit të ditës”.
“Kjo çështje duhet mbyllur sa më shpejt, sepse nuk është problem se kush është kryetar. Këto zgjidhen me mirëkuptim dhe ndaj ne ramë dakord që të bëhet që nesër një mbledhje e kryetarëve. Qytetarët e Tiranës kanë probleme madhore, me strehimin, me kreditë etj dhe kjo çështje e kryetarëve është shumë e vogël para problemeve të tyre. Ne duhet të marrim vendime të rëndësishme dhe kuptohet se do të zbatohet ligji dhe vetëm ligji”, theksoi Bezhani.
Zh.
Add new comment