Vatikani shpall shenjtorë, në një ceremoni të rrallë, Papa Gjon Palin II dhe Papa Gjonin e XXIII

Postuar në 27 Prill, 2014 05:51

Papa Gjon Pali i Dytë dhe Papa Gjoni i 23-të janë shpallur sot shenjtorë në një ceremoni të ndjekur nga miliona besimtarë në Vatikan, por edhe në mbarë botën. Ceremonia është udhëhequr nga Papa Françesku dhe paraardhësi i tij, Papa Benedikti XVI, i cili si rrallëherë pas dorëheqjes nga detyra e Papës ka dalë në publik në cilësinë e “Papës së Nderit”.  Ceremonia e shenjtërimit është mbajtur në sheshin e "Shën Pjetrit" dhe në ceremoni  ishin të pranishëm afro 150 kardinalë dhe më se 1 mijë peshkopë. Po ashtu, në kryeqytetin italian ishin të pranishëm mbi 1 milionë pelegrinë ndërsa janë angazhuar mbi 10,000 forca të sigurisë.  

Papa Gjon Pali i II udhëhoqi Kishën Katolike për 27 vite. Ai ishte Papa që shëtiti më shumë në histori duke dhënë kudo që shkonte mesazhin e tij për paqe dhe harmoni. Papa Gjon Pali II, i lindur në Poloni si Karol Wojtyla, është vlerësuar si një nga personalitetet botërore më me ndikim në rrëzimin e komunizmit por edhe si një ndër kontributorët më të mëdhenj për ndërtimin e një ure që lidh kombet e besimet e ndryshme.  Papa Gjon Pali me 25 prill 1993 vizitoi Shqipërinë dhe puthi tokën shqiptare sapo zbriti në aeroport. Procesi i shenjtërimit të Papa Gjon Palit ishte më i shpejti në historinë moderne pasi pasardhësi i tij, Papa Benedikti, vendosi ta kapërcejë rregullin e Kishës që normalisht kërkon një periudhë pritjeje pesë-vjeçare para se të fillojnë procedurat e para të shenjtërimit. Procedurat për shenjtërimin e tij nisën menjëherë pas vdekjes.

Papa Gjoni i 23-të, i lindur si Angelo Giusepe Roncalli në Itali, i cili u bë i njohur si “Papa i mirë”. Ai ishte kreu i Vatikanit, në periudhën 1958 – 1963, në një periudhë të vështirë të pasluftës botërore. Ai njihet si Papa i parë, që pas shekujsh, dilte nga muret e Vatikanit për t’u “përzier” me njerëzit e thjeshtë dhe për të dhënë mesazhe paqeje.

Kjo ceremoni mund të cilësohet si e paprecedentë për faktin se për herë të parë kemi dy Papë të gjallë që drejtojnë një ceremoni të përbashkët për shenjtërimin e dy paraardhësve të tyre.

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.