UEFA dhe FIFA i kushtojnë rëndësi aspektit politik të ngjarjeve në Beograd. Në Serbi, politika flet për plane dhe lidhje të incidentit me vizitën e Putin

Ashtu siç pritej ka nisur përballja mediatike pas ndeshjes Serbi-Shqipëri. Lajmi më i rëndësishëm është se UEFA ka vendosur të nisë hetimet dhe do të hapë çështje disiplinore për të dyja kombëtaret. Po kështiu, kreu i FIFA-s, Blatter është shprehur në “Twitter” se futbolli nuk duhet të përdoret për mesazhe politike, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia i shkon flamurit që lëvizi mbi Beograd. Po kështu edhe Platini, kreu i UEFA-s, ka përcjellë mesazhin për implikimin politik në një ndeshje futbolli. Nga ana e vet, BE-ja ka reaguar përmes zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Maja Koçijançiç, sipas së cilës “ne jemi të zhgënjyer për ndërprerjen e djeshme, pas aktit të provokimit, të ndeshjes futbolli Serbi-Shqipëri”. Dhe më tej: “Autoritetet serbe demonstruan profesionalizëm në përballje me situatën”. Nëse i hidhet një sy deklaratave të mësipërme, apo statuseve në rrjetet sociale, dhuna e tifozëve nuk përmendet në mënyrë të posaçme, si akti më flagrant i cenimit të rregullores së futblollit, por çështja po devijon drejt provokimit nga flamuri. Provokim, për të cilin nuk ka sesi të akzuohet kombëtarja shqiptare. Lidhur me qëndrimet në Serbi, ato janë të kuptueshme. Politikanë të ndryshëm serbë, të listuar nga agjencia shtetërore “Tanjug” flasin për një plan të parapërgatitur mirë. Madje ministri serb i Punës, Kujdesit ndaj Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Aleksandar Vulin, shkon më tej, teksa thotë se ndoshta ky incident “lidhet me vizitën e afërt të presidentit rus, Vladimir Putin dhe me paradën ushtarake”. Interesant është fakti se as Presidenti Nikoliç dhe as kryeministri Vuçiç nuk janë prononcuar. I vetmi zë i ekuilibruar në këtë histori është ai i Goran Miletiç, drejtor i Programit për Ballkanin Perëndimor dhe Mbrojtjen e të Drejtave Civile në Beograd, sipas të cilit “flamuri është fyes, por më fyese është thirrja “vritini, vritini shqiptarët”.
s.z
Add new comment