Udhëheqësi i PD pritet të mbajë nesër një fjalim frymëzues mbi çështjen e Kukësit

Seanca parlamentare e ditës së enjte do të vendosë mbi kërkesën e grupit parlamentar socialist për ngritjen apo jo të komisionit hetimor parlamentar për qarkun e Kukësit. Ky është vendimi i marrë sot nga Konferenca e Kryetarëve, mbledhje e cila miratoi kalendarin dy javor të punimeve të Kuvendit.
Pas akuzave për shtim fiktiv të popullsisë në 5 komuna të këtij qarku, socialistët kërkojnë të hetojnë rolin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe drejtorive rajonale, në këtë proces. Në vlerësimin e socialistëve të dhënat statistikore të Ministrisë së Brendshme për popullsinë e qarkut Kukës përbëjnë indicie të qarta për shtesa jo të natyrshme të popullsisë duke pasur një impakt direkt dhe të menjëhershëm në ndryshimin e pupullsisë për efekt të ndarjes së mandateve për deputetë.
Komisioni hetimor, sipas kërkesës së Partisë Socialiste, do të shtrijë veprimtarinë e tij në një afat kohor prej 6 javësh dhe do të përbëhet nga 11 deputetë, ku 5 i përkasin opozitës dhe 6 mazhorancës. Në seancën e radhës mazhoranca pritet të mos e pranojë ngritjen e një komisioni të tillë.
p.s: Ende nuk ka një vendim zyrtar nga ana e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i cili do mblidhet nesër. Me gjasa do kemi rast të dëgjojmë live dhe në heshtje, bashkë me deputetët demokratë, (dmth ata në sallë dhe ne para ekraneve) një fjalim frymëzues të udhëheqësit të PD, ku do shpallen direktivat për çështjen e Kukësit. (a.thano)
Add new comment