Uashington Post i rendit Obamas detyrat pas rizgjedhjes

“Uashington Post” shkruan se katër vjet më parë, Barack Obama u zgjodh president i SHBA-ve, në një kohë kur ekonomia e vendit po shkonte duke rënë. “Zgjedhja e tij për një manda të dytë vjen në një periudhë më të qetë, por ende me probleme. Ekonomia është duke u përmirësuar, por shumë më ngadalë se parashikimet e çdokujt”, shkruan gazeta. Pas festimeve të shpejta, presidenti duhet të koncentrohet në të ashtuquajturin “shkëmb fiskal”, për rritje të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve, që ta largojë vendin nga recesioni, shkruan kjo e përditshme.
Sipas gazetës, rizgjedhja edhe për katër vjet të tjera në krye të vendit, i ofron Obamës një mundësi për t’i realizuar premtimet e mandatit të parë dhe të kompletojë punët e papërfunduara. “Arritjet, ashtu siç kemi thënë gjatë përkrahjes së Obamës edhe për një mandat tjetër, përfshijnë stabilizimin e ekonomisë dhe reformat në shëndetësi. Këto reforma në shumciën e rasteve nuk kanë hyrë në fuqi. Në këtë mandat të dytë do të mund të sigurohet arritja e qëllimeve për mbulim më të gjerë të miliona amerikanëve të pasiguruar dhe të nisë procesi i vështirë i rritjes së shpenzimeve shëndetësore”, shkuan Washinton Post.
Sipas gazetës, ka shumë gjëra të papërfunduara, si në vend, ashtu edhe jashtë vendit. Në krye të listës janë reformat e emigracionit dhe ndryshimet klimatike. Jashtë vendit janë programi bërthamor i Iranit, si dhe çështja e tërheqjes së trupave nga Iraku dhe Afganistani. Nuk mund të lihet anash as çështja e Sirisë, ku mbi 30 mijë civilë janë masakruar gjatë mandatit të parë të Obamës, çështje kjo me të cilën ai duhet të merret gjatë mandatit të tij të dytë.
“Në ditën e zgjedhjeve, para katër vjetësh, ne festuam, bashkë me amerikanët e të dyja partive, për faktin që një amerikan me ngjyrë u zgjodh në krye të vendit, dhe shpresuam se një lider i ri dhe karizmatik do të ndihmonte në shërimin e ndarjeve dhe të konfrontohej me zgjedhjet e vështira që politikanët në përgjithësi më me dëshirë do tu shmangeshin. Fitorja e rizgjedhjes së Obamës u ndie si më pak e rëndësishme, por kjo i jep atij mundësinë që t’i plotësojë zbrazëtirat e një trashëgimie ende të pasigurt”, përfundon shkrimin e përditshmja amerikane, Washington Post. (REL)
Add new comment