Turqia, pro operacioneve, kurse SHBA njofton ridislokimin në Irak. Lajme jozyrtare për shtrirjen e ISIS në Egjipt. Assad, i fituari i momentit

Ndërsa ka hyrë dita e dytë e bombardimeve ajrore të SHBA dhe aleatëve të saj ndaj pozivcioneve të ISIS në Siri, disa zhvillime të reja flasin për paqëndrueshmërinë e situatës. Së pari, Presidenti i Turqisë, Erdogan, ka deklaruar se është gati të mbështesë operacionet ushtarake të ndërmarra aktualisht, qoftë ushtarakisht, qoftë me logjistikë(http://www.todayszaman.com/diplomacy_erdogan-signals-turkey-could-give-m...). Ky është një hap i rëndësishëm, që pason një hap edhe më domethënës, e që është hapja dhe fleksibiliteti i Perëndimit ndaj Iranit. Turqia është një ndër vendet më të prekura nga kriza në planin humanitar, përderisa edhe nga Kobani, janë larguar për dy ditë mijëra vetë. Mirëpo kriza po përfton probleme të sigurisë, përderisa kurdët janë ricikluar si faktor ushtarak në skenë dhe më tej akoma, ka edhe një të fituar tjetër për momentin, të cilit askush nuk e do që "t’i japë dorën". Ky është presidenti sirian Bashar al-Assad, i cili sot mirëpriti zyrtarisht operacionet ndaj terroristëve siç i quajti ai. Mund të quhet i fituar, edhe pse po sot, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, u shpreh se Damasku zyrtar është njoftuar ditë më parë për sulmet(http://en.ria.ru/politics/20140923/193215793/UN-General-Secretary-Says-S...). Pra kërkesa e Assadit dhe e Rusisë, për të mos implikuar probleme të sovranitetit të Sirisë në emër të sulmeve ndaj ISIS ka gjetur vend. Ka edhe tri zhvillime me karakter ushtarak, por që pritet të kenë pasoja politike: së pari është njoftimi se SHBA do të dislokojnë në Irak një qendër drejtimi divizioni. Kjo është bërë e ditur nga shefi i Shtabit të Ushtrisë, Ray Odierno, por pa dhënë sqarime të mëtejshme(http://www.navytimes.com/article/20140923/NEWS08/309230066/Army-chief-Di...). Së dyti ka dy lajme që qarkullojnë në rrjetet sociale: një është që edhe Rusia do të marrë pjesë në bombardime, por duke goditur njësitë e opozitarëve të Assadit të Free Syrian Army, duke parandaluar pra në çdo rast rënien e Assadit; dhe lajmi tjetër, po i pakonfirmuar, se në Egjipt, ISIS ka themeluar degën e vet që mendohet të bëhet aktive sot. Nga ana tjetër, përgjatë gjithë ditës, ka patur shumë informacione që vënë në dyshim ekzistencën e grupit militant “Khorasan”, duke nënvizuar se kjo është propagandë dhe sa pas sulmeve të supozuara ndaj këtij grupi, bëhet fjalë thjesht për goditje ndaj Al Nusras.
Nëse mbajmë parasysh se para disa javësh ekspertë amerikanë të sigurisë dhe të çështjeve ushtarake theksonin se ISIS përfaqëson diçka krejt të re në krahasim me Al Qaedën dhe së vënia në veprim e elementëve të taktikës ushtarake në mënyrë shumë të organizuar, sidomos në tërheqjen dhe në riorganizimin e sulmeve, përbën një problem serioz, atëherë do të duhet të pritet për të parë se çfarë do të prodhojnë këto sulme dhe nëse ato realisht do të eliminojnë organizatën. Kjo pasi edhe në rrjetet sociale, por edhe mediat, teksa i referoheshin një deklarate të George Bushit se largimi nga Iraku i hap rrugë terrorizmit, po analizohet sesi mundet që një operacion ushtarak të mbyllë një problem politik dhe social e ideologjik kaq të thellë? Në fund askush deri më sot nuk ka bërë të ditur dhe nuk ka deklaruar ende se çfarë parashikohet për paqen, sesi do të mbahet ajo, përmes cilave mekanizma, në një rajon që po përjeton një fazë të rizgjimit të fortë të islamit politik. Lidhur me këtë të fundit nuk mund të mos bjerë në sy edhe pjesëmarrja shumë aktve në sulmet nga ajri të Katarit dhe Arabisë Saudite, akuzuar gjerësisht si financues të ISIS, por që duket se u ka dalë për duarsh, që në momentin e shpalljes së kalifatit.
s.z
Add new comment