Turizëm me simbolet dhe objektet e komunizmit

Postuar në 13 Prill, 2014 12:52

Simbolet dhe objektet e komunizmit në Shqipëri mund të shërbejnë si tërheqje për vizitorët vendas dhe turistët e huaj. I tillë mund të jetë edhe tuneli që gjendet disa metra larg Bashkisë së Gjirokastrës, ku udhëheqja komuniste lokale e kohës planifikonte të jetonte dhe ushtronte aktivitetin e vet në rast të një agresioni nga jashtë. “Sot mund të duket e pabesueshme, por regjimi kishte menduar deri në detaje për çdo gjë në këto ambiente. Aty gjenden edhe zyrat e hetuesve që do të pyesnin kundërshtarët e regjimit, edhe gjykata që do t’i dënonte, por edhe shumë institucione të tjera të kohës. Të gjitha këto sot mund të jenë një shtysë më shumë për të vizituar qytetin e Gjirokastrës, që veç shtëpive karakteristike ofron edhe këtë lloj turizmi” raporton “Vizion Plus”( http://vizionplus.al/tunelet-e-diktatures-bashkia-ti-perdorim-per-turizem/). Bashkia po e diskuton këtë projekt për ta futur këtë vend në listën e objekteve që duhet të vizitohen nga turistët, ndërkohë që sipas kryetarit të bashkisë, një gjë e tillë do ti shtonte vlerat turistike këtij qyteti. Tuneli i luftës së ftohtë në Gjirokastër u ndërtua në vitet 1970. Një nga degëzimet e tij shkon poshtë skenës së Festivalit Folklorik që zhvillohej në kala, ndërkohë që tjetri shkon poshtë pazarit karakteristik. Ai ka tre porta hyrëse dhe dalëse si dhe aspirim të rregullt. Në mbarë vendin janë me qindra bunkerë për të cilët do të nevojiteshin fonde të konsiderueshme për t’i hequr ndaj një opsion që artikulohet vazhdimisht është ai i transformimit të tyre për qëllime të tjera. Këto objekte vijojnë ende të ngjallin kureshtje tek të huajt që e evidentojnë këtë fakt dhe bëjnë apel për t’i vizituar ata. Nga ana tjetër, në vend nuk kanë munguar as tentativat për t’i “modifikuar” për qëllime turistike këto objekte, ku disa tunele janë kthyer në lokale muzike ndërsa disa bunkerë të zonave bregdetare, në dhoma hoteli. Ideja e përdorimit të objekteve të komunizmit për qëllime turistike është një ide e hershme por ka munguar një strategji konkrete e zbatuar.

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.