Tronditet selia e Qeverisë së Maqedonisë, qëllohet me dy predha. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë e atentatit

Dy predha janë hedhur mbrëmë rreth orës 22 në drejtim të Qeverisë së Maqedonisë, njoftoi MPB. Pranë autoriteteve policore, njofton agjencia INA, ishte lajmëruar se në afërsi të Qeverisë janë dëgjuar dy shpërthime, ndërsa pas disa orëve në fasadën e ndërtesës së Qeverisë janë gjetur edhe dy predhat. Bëhet me dije gjithashtu se nuk kanë plagosur dhe nuk kanë shkaktuar dëme materiale. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska lidhur me incidentin deklaroi se ekipet e specializuara policore po vërtetojnë tipin e armës me të cilën janë shtënë predhat, drejtimin nga janë shkrepur, motivet dhe personat e dyshuar. Ajo nuk ka dashur të komentojë pyetjen se në çastin që janë shkrepur predhat në ambientet e brendshme të qeverisë po mbahej seanca e rregullt qeveritare. Ky është sulmi i dytë pas një sulmi që kishte ndodhur në vitin 2007, ku gjithashtu ishin hedhur dy granata në drejtim të Qeverisë dhe se ky akt i cilësua si terrorist. Nga ana tjetër, deri tani nuk u mor përgjegjësia nga askush lidhur me këtë sulm ndaj këtij objekti të lartë shtetëror.
L.V
Add new comment