Transparenca financiare, po Fullani ka rol në këtë katandisje? Braçe mendon se po

Transparenca e gjendjes financiare të vendit duket si një garë e hapur ku luftojnë të marrin flamurin shumë faktorë, siç ka titulluar sot shkrimin e saj hapës edhe gazeta Shqip. Lëvizjeve të kryeministrit të ardhshëm Rama në këtë drejtim, u ka paraprirë edhe guvernatori i Bankës Qëndrore Fullani, që sipas Shqip-it, “në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të diskutojë edhe për projektvendimin “Për miratimin e realizimit të objektit të prokurimit ‘Abonim pranë një agjencie renditjeje për një periudhë tre vjeçare’”. Edhe pse bëhet në kuadër të transparencës me publikun, duhet thënë se disa anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës nuk kanë asnjë informacion lidhur me shërbimet që kërkohen nga kjo agjenci.
Por ndërkaq, edhe banka Qëndrore akuzohet si përgjegjëse bashkë me qeverinë në shthurjen e financave publike. “Banka e Shqipërisë ka qenë e hapur pa hesap, për të mos thënë e shqyer, përballë agresionit politik ndaj financave të shtetit për zgjedhjet. Deficiti është tejkaluar me 180 milionë dollarë. Krahasuar me një vit më parë, që konsiderohet një vit normal nga aspekti politik, tejkalimi është me 270 milionë dollarë”, ka deklaruar deputeti socialist Braçe. Kritikat e së majtës ndaj Fullanit, shtrihen që para disa vitesh, kur qeverisë Berisha iu deshën para kesh dhe Banka bleu Hotel Dajtin nga shteti.
A.K
Add new comment