Transferim, shitje, manovër..?

Postuar në 24 Tetor, 2012 13:36

Pozita dhe opozita u përplasën sot në parlament mbi marrëveshjen për shitjen e hidrocentralit të Lanabregasit në kryeqytet. Blerësi është.. ndërmarrja e Ujësjellit të Tiranës. Marrëveshja mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ujësjellësit të Tiranës ka caktuar një çmim shitje prej 15 milionë euro. Qeveria e mbron marrëveshjen me motivacionin "për të ulur koston e ujit për banorët e kryeqytetit". Kryeqeveritari Berisha sot në Parlament përdori termin "tranferim" në vend të "shitje".

Tha Berisha: “E kemi transferuar për interesa të qytetarëve të Tiranës sepse nuk duam që çmimet të shkojnë në stratosferë. Nuk po shesim asgjë por po marrim masa që rritja e çmimit të energjisë të mos ndikojë në rritjen e çmimit të ujit”.

Por opozita këmbëngul se kjo është një manovër e qeverisë për të mbushur arkën bosh të shtetit (nëse do të ishte interesi i qytetarëve qeveria nuk kishte pse ta shiste por thjesht t’i kalonte pronësinë duke qenë se Ujësjelli mbetet një ndërmarrje publike).

Iu përgjigj Ruçi, Berishës: “Caktuat ekspertë, e vlerësuan 5 milionë euro, u thatë shkoni rivlersojeni, e rivlerësuan 8 milionë, u thatë shkoni prapë dhe e rivlerësuan 13 milionë euro. Të gjitha këto sipas dokumentave tuaja. Dhe sot ua shet qytetarëve të Tiranës me 15 milionë euro. Na thoni se këtë e bëni për hatër të qytetarëve të Tiranës. Në 2005 e morët ujin me një çmim 200 lek për metër kub, sot, sipas faturës është 450 lek”.

Muajin e ardhshëm qeveria ka njoftuar zhvillimin e tenderit për shitjen e katër hidrocentraleve të tjerë të vegjël. Një garë e zhvilluar muajin e shkuar dështoi për mungesë të ofertave për blerjen e tyre. - A.N.

 

Në foto: Drejtori i UKT Said Dollapi dhe L.Basha i Bashkisë së Tiranës, gjatë një inspektimi në zonën "Kodra e Priftit" në kryeqytet (LSA)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.