Tirana, notë proteste ndaj Serbisë: “Nuk jemi ne përgjegjës për të kaluarën serbe”. Dodik: “Incidenti synonte rrëzimin e Vuçiç”

Ministria e Jashtme i ka dorëzuar sot ambasadorit serb në Tiranë, Miroljub Zariç, një notë proteste, si reagim ndaj qëndrimeve të mbajtura nga institucionet më të larta të shtetit serb. “Deklaratat e zyrtarëve më të lartë serbë bien ndesh me etikën më bazike të marrëdhënieve diplomatike dhe reciprocitetin e mirësjelljes, vetëpërmbajtjes dhe respektit midis shteteve sovrane. Për më tepër, ato nuk dëshmojnë lartësinë e një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Ftojmë udhëheqësit e lartë të Serbisë të kthjellohen dhe të tregojnë maturi duke dënuar aktet antishqiptare që ndodhën para, gjatë dhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, si bllokimin në aeroportin e Beogradit të gazetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë që shoqëronin ekipin kombëtar, djegien e flamurit shqiptar në stadium, thirrjet për 40 minuta për vrasjen e shqiptarëve dhe dhunën patologjike të ushtruar mbi sportistët e kombëtares shqiptare. Historia e vjetër dhe e re e Ballkanit nuk e njeh Shqipërinë si destabilizuese e rajonit dhe as si agresore kundër popujve liridashës, që kërkojnë pavarësi. Shqipëria nuk është përgjegjëse për faktin se e kaluara mund të rëndojë në ndërgjegjen dhe gjendjen emotive të zyrtarëve të lartë serbë...Falë perspektivës Europiane, sot kemi mundësinë të ndërtojmë një rajon ku mbizotëron paqja dhe prosperiteti, jo ndasitë dhe ksenofobia”, thuhet në notë. Nga ana tjetër, për incidentet është prononcuar sot edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, që ka nënvizuar se ndërprerja e ndeshjes ka ardhur si pasojë e dhunës. Zëdhënësja Psaki ka mohuar që ambasada amerikane në Beograd të ketë rol në vënien në punë të dronit me flamur. Kjo nuk ka penguar që edhe sot, zyrtarët serbë të vzahdojnë me tezën e provokimit, si argument qendror. Kështu kryeministri Vuçiç i ka deklaruar “CNN” se pret nëj falje të thellë nga autoritetet shqiptare, ndonëse ka shtuar se “shpresojmë se do të punojmë për ta kapërcyer këtë situatë”. Kurse Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, citohet nga “Tanjug” të jetë shprehur se fluturimi mbi stadiumin e Beogradit i dronit lidhej vetëm me vizitën e Vladimir Putinit. Sipas tij ngjarja u organizua nga shqiptarët dhe europianët me synim provokimin e njerëzve në stadium, nisjen e një konflikti dhe rrëzimin e qeverisë së Vuçiç(http://tanjug.rs/news/149386/dodik--putins-visit-was-sole-ca...). Tezë kjo që minimalisht edhe sikur të pranohej do të kërkonte largimin e shefit të shërbimit sekret serb apo edhe ministrit të Brendshëm.
s.z
Add new comment