Thriller në Byronë kineze

Postuar në 20 Gusht, 2012 12:53

Në Kinë ka ngjallur një interes të jashtëzakonshëm publik gjyqi kundër bashkëshortes së politikanit të lartë kinez Bo Xilai. Sot, mediat shtetërore kineze njoftuan se gruaja (quhet Gu Kailai) u dënua me vdekje me afat falje prej dy vjetësh (nëse Gu nuk kryen akte penale gjatë dy vjetëve të ardhshëm dënimi me vdekje mund t’i kthehet në dënim me burgim të përjetshëm).

Historia që i ngjan skenarit të një filmi thriller me pak fjalë është kjo: Gu u përpoq që me ndihmën e biznesmenit britanik Neil Heywood të nxirrte një sasi të madhe parash jashtë Kinës. Kur dyshoi se plani mund të zbulohej ajo e helmoi biznesmenin për të mos rrezikuar karrierën politike të bashkëshortit Bo Xilai. Heywood u gjet i vdekur në nëntor 2011 në një hotel luksoz në qytetin Chongqing në Kinën qendrore. Kufoma u dogj shpejt, pa autopsi dhe diagnoza zyrtare fillimisht ishte helmim nga alkooli. Por dyshimet nuk vonuan. Policia e qytetit 30-milionësh Chongqing deklaroi se nuk pranonte ta nënshkruante dëshminë për vdekjen nga alkooli të biznesmenit britanik (pak më vonë shefi i policisë lokale u shkarkua pa asnjë argumentim). Lëmshi i ngjarjeve solli një hetim dhe kështu u zbulua skandali i vrasjes që shkaktoi reagime të forta në Partinë Komuniste kineze në pushtet.

Bo ishte në atë kohë kryetar i Partisë Komuniste në Chongqing dhe konsiderohej kandidat me shanse të mira për një post në komisionin e përhershëm të byrosë politike. Në vazhdën e skandalit rreth vrasjes së britanikut, gruaja e tij u arrestua ndërsa vetë Bo humbi të gjitha postet politike (ndër të tjera edhe vendin në byronë politike shumë të fuqishme). Ai prej muajsh nuk është shfaqur në jetën publike. Rënia e tij konsiderohet edhe një shuplakë e rëndë për të ashtuquajturën "e majta e re" në Partinë Komuniste të Kinës. Bo ishte në krye të lëvizjes së re neo-maoiste të konservatorëve të majtë, lëvizja e cila është kundër kursit me orientim nga tregu, të reformatorëve.
A.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.