Tedi Papavrami shkëlqen në skenën e TOB-it me sonata të Bahut; publiku ngjante i thëthirë prej tingujve të violinës së tij

Sonte në mbrëmje, artdashësit e Tiranës mbushën plot e përplot sallën e Teatrit të Operas e të Baletit. Kish ditë që ish lajmëruar një koncert i Tedi Papavramit, një solo për violinë me sonata të Bah-ut, dhe publiku ish përgatitur për të ndjekur violinistin e talentuar shqiptar me banim në Francë. Por koncerti i kapërceu pritmëritë e publikut, gjë që ky i fundit e demonstroi me duartrokitje pa fund që ia dhuroi artistit në përvjetorin e lindjes së tij (pikërisht sot Papavrami kish datëlindjen).
Për më shumë se një orë, me tri ndërprerje, Papavrami me violinën e tij, pa piano, pa orkestër, pa partitura e pa lexhio përpara, bëri që në sallë të mbizotëronte një heshtje absolute. Ndërsa luante, në sfond kish imazhe pikturash të Rilindjes Europiane, që një dorë mjeshtërore kish bërë që personazheve të pikturave t’u lëviznin gjymtyrët e trupi e kështu pikturat statike të shndërroheshin në imazhe dinamike filmike. Dhe e gjithë skenografia çahej e tëra në qendër nga një tunel, nga hynte e dilte Papavrami në intervalet e shfaqjes.
Shfaqja do të jetë dhe nesër me sonata e partita të tjera të Bahut.
Re.Pu.
Add new comment