Tarifat celulare, operatorët nuk zbatojnë vendimin e AKEP-it (Intervistë me drejtoreshen e kompanisë 'Plus')

Postuar në 16 Shkurt, 2015 04:42

Prej dy muajsh duhej të kishte hyrë në fuqi vendimi i AKEP për barazimin e tarifave celulare si brenda rrjetit, ashtu edhe jashtë tij. Por, pavarësisht vendimit, operatorët nuk e kanë marrë parasysh atë, duke shënuar një rast të paprecedentë, në tregun e komunikimeve elektronike, pikërisht në kohën kur Shqipëria po përgatitet të hyjë në BE. Drejtorja e Përgjithshme e PLUS Communication, Matilda Shehu, në një intervistë për gazetën “Shqip” ka treguar sesi po abuzohet me moszbatimin e vendimit të AKEP dhe a do të ketë më në fund një rregullim të tregut të komunikimeve elektronike. Shehu ka treguar se strategjia e ndjekur ndër vite nga operatorët e fuqishëm, sidomos duopoli AMC-Vodafone, ka sjellë efekte negative për konkurrencën ndaj operatorëve të vegjël, por ka dëmtuar rëndë edhe konsumatorin shqiptar.

Zonja Shehu, në nëntor të vitit të kaluar, AKEP nxori njoftim për marrjen e disa masave të reja në tregun e telekomunikacionit, të cilat duhej të fillonin të aplikoheshin në dhjetor 2014 dhe janar 2015. Çfarë ndodhi me këto vendime dhe çfarë po bëhet për zbatimin e tyre?

Pas një analize të bërë mbi ecurinë e tregut për vitet 2013-2014, në përfundim të saj, AKEP nxori njoftimin mbi vendimet e marra për një sërë masash rregulluese për tregun e komunikimeve elektronike. Në këto masa, ndër të tjera, përfshihej barazimi i Tarifave të Thirrjeve brenda dhe jashtë rrjetit (ose siç quhen ndryshe tarifat on net dhe off net), për të gjithë operatorët apo barazimi i sasive të minutave brenda rrjetit, të përfshira në oferta apo plane tarifore, me sasinë e minutave të ofruara drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare. Në fakt, aplikimi dhe zbatimi i këtyre vendimeve duhet të fillonte që nga dhjetori 2014 dhe janari 2015, por deri më tani, në mënyrë absurde, për herë të parë në historinë e rregullimit të tregut në Shqipëri, nuk është zbatuar nga operatorët.

A është zbatimi i këtij vendimi i rëndësishëm për PLUS?

Patjetër që zbatimi i këtij vendimi është shumë i rëndësishëm, e jo vetëm për PLUS, por edhe për konsumatorët shqiptarë të tregut të telefonisë celulare, sepse mbi të gjitha do të jenë ata, të cilët do të përfitojnë nga një tarifim i drejtë e konkurrues. Megjithatë, zbatimi i këtij vendimi duhet të jetë i rëndësishëm edhe për të gjithë operatorët e tjerë. Në fakt, këtu dua të theksoj që moszbatimi i një vendimi të marrë nga një ent rregullator në çfarëdolloj industrie, është një rast i paprecedentë si në nivel kombëtar, por mbi të gjitha në nivel ndërkombëtar. PLUS kërkon me ngulm fillimin e zbatimit të këtij vendimi dhe për këtë ka dërguar pranë AKEP edhe kërkesa e shkresa zyrtare, por deri më tani, nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare konkrete.

Cila është arsyeja që e kërkoni me ngulm zbatimin e këtij vendimi dhe përse mendoni se nuk ka hyrë ende në fuqi?

Zbatimi i këtij vendimi dhe aplikimi i masave të vendosura do të përbënin momentin e parë të përpjekjes për rregullimin e tregut të komunikimeve të telefonisë së lëvizshme në vend. Për shumë vite, ky treg ka qenë totalisht i parregulluar dhe ky është një konstatim jo vetëm i AKEP së fundmi, por edhe i disa deklarimeve dhe masave të sugjeruara e të përsëritura në kohë nga Autoriteti i Konkurrencës. PLUS ka kërkuar rregullimin e këtij tregu duke filluar që nga viti 2011, por deri më tani, asnjëherë nuk është vepruar në këtë drejtim dhe prandaj zbatimi i vendimit të marrë në nëntor të vitit 2014, është hapi i parë në rregullimin e këtij tregu.

Lidhur me pjesën e dytë të pyetjes se pse nuk ka hyrë ende në fuqi, mund t’ju them që PLUS është në dijeni të një kërkese për shtyrjen e këtij vendimi të AKEP, nga AMC dhe Vodafone dhe madje kjo kërkesë është bërë nëpërmjet një shkrese të përbashkët, të dorëzuar nga dy operatorët më të fuqishëm në vend.

Kur shpreheni që ky treg ka qenë i parregulluar për vite me radhë, çfarë keni parasysh dhe cili është shqetësimi juaj konkret?

Strategjia e ndjekur ndër vite nga operatorët e fuqishëm dhe këtu kam parasysh duopolin AMC-Vodafone, ka sjellë efekte negative për konkurrencën ndaj operatorëve të vegjël, e sidomos ndaj PLUS, operatorit më të ri në këtë treg. Ata kanë aplikuar për një kohë të gjatë, e vazhdojnë ende ta bëjnë, diferencimin e çmimeve të thirrjeve brenda me jashtë rrjetit, duke prodhuar një mekanizëm të mbylljes së tregut brenda rrjetit të tyre. Kjo strategji nuk është penguar aspak nga organet kompetente në gjithë këtë periudhë, ndërkohë që PLUS, menjëherë me hyrjen e tij në treg, ka sjellë uljen e ndjeshme të kostove të komunikimit në të gjithë tregun, duke ofruar tarifat më ekonomike për konsumatorin shqiptar.

Është publik fakti se vendimi i Autoritetit të Konkurrencës në janar të 2014-s, i marrë pas një hetimi njëvjeçar që mbulonte periudhën 2011-2012, shprehet se operatori Vodafone ka pasur pozitë dominuese në treg dhe se kjo dominancë krijon problematikë në konkurrencë dhe më tej AK jep sugjerime për AKEP që të marrë masa të menjëhershme për ndërhyrje në treg. Po ashtu, edhe komisionet përkatëse parlamentare kanë lënë detyra konkrete si për AKEP ashtu edhe për Autoritetin e Konkurrencës për ndërhyrje dhe mbikëqyrje të menjëhershme që në maj të vitit 2014. AKEP, nga ana tjetër, kreu analizën e tregut të telefonisë celulare që në maj deri në nëntor të vitit 2014 dhe në përfundim nxori disa vendime për rregullimin e tregut. Pra në total flasim për një periudhë të parregulluar që prej fillimit të 2011-s dhe tashmë jemi në shkurt të vitit 2015. E gjithë kjo situatë e ka detyruar PLUS të vazhdojë “luftën” në përpjekjen e vet, gjithmonë në kushtet e një konkurrence komplet të pandershme e me parametra të pakrahasueshme me asnjë treg të ngjashëm europian. Deri më tani, operatorët e mëdhenj me pozitë dominuese, kanë vendosur “veton” në mënyrën sesi ka funksionuar ky treg e tashmë e gjithë kjo situatë absurde nuk duhet të vazhdojë më.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në këto kushte të tregut?

Aktualisht është emëruar një bord i ri në drejtim të AKEP. Duke i uruar suksese këtij bordi të ri drejtuesish, PLUS sjell në vëmendjen e tyre dhe realisht shpreson që me fillimin e punës, ata do të detyrojnë operatorët që të zbatojnë vendimet që vetë AKEP ka marrë në nëntor 2014, e me këtë rast, fillimin e një epoke të re në tregun e komunikimeve elektronike, duke u përpjekur të vihen themelet e një tregu më në fund të rregulluar, të denjë për një konkurrencë të ndershme për të gjithë operatorët, por mbi të gjitha për konsumatorin shqiptar. Për më tepër që rregullimi i tregut u shërben edhe vetë operatorëve në kushtet kur vendi po përgatitet për t’u anëtarësuar në BE. Kjo është ajo çka PLUS, operatori i vetëm shqiptar në vend, kërkon e beson të ndodhë së shpejti!

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.