Taivani lejon projektin e një afaristi kinez. Bota e biznesit e konsideron "një përjashtim të rrallë"

Taivani i ka dhënë lejen e ndërtimit biznesmenit të parë nga rivalja e tij politike Kina për të filluar një projekt tregtar. Qeveria e ishullit zakonisht i ndalon zhvilluesit privatë kinezë të bëjnë projekte të tilla, me argumentin se rrezikohet siguria e vendit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ralph Jennings njofton nga Taipei se Kompania Imobiliare "Beijing Vantone" arriti të sigurojë një përjashtim të rrallë. "Beijing Vantone" njihet në Kinë për projekte banesash luksoze. Në Taivan ajo po ndërton dy godina të larta 29 katëshe me pamje nga oqeani në një projekt prej 8.6 milionë dollarësh pranë Taipeit.
Kina dhe Taivani kanë qeverisje të ndryshme që nga koha e luftës civile e viteve 1940, kur nacionalistët e Chiang Kai-shekut humbën ndaj komunistëve dhe e zhvendosën qeverisjen e tyre në ishull. Që atëherë Kina ka pretenduar se ka sovranitet mbi Taivanin që vetëqeveriset. Kjo ka sjellë si rezultat edhe ndalimin e investimeve kineze në Taivan. Por marrëdhëniet filluan të zbuten në vitin 2008 nën presidentin Ma Ying-jeou të Taivanit dhe që atëherë ishulli ka lejuar investimet nga Kina për 404 sektorë, por ndërtimet private ishin të ndaluara për kinezët nga Kina. Re.Pu.
Add new comment