Tahiri në Komisionin Hetimor: Policinë e Shtetit e gjeta të trembur

Sajmir Tahiri, Ministër i Punëve të Brendshëme dhe Agron Kuliçaj, ish-Nëndrejtor i Policisë së Shtetit janë dëgjuar në Komisionin Hetimor për largimet, lëvizjet, emërimet në Policinë e Shtetit në Kuvendin e Shqipërisë i cili është mbledhur përsëri sot. Fillimisht është kërkuar që komisioni të mblidhet me dyer të mbyllura, por anëtarët e djathtë të komisionit nuk pranuan që seanca me ministrin të zhvillohej pa transmetim direkt në televizione. Kjo kërkesë bëri që mbledhja të ndërpritet për disa minuta dhe më pas dëgjesa e ministrit ishte e hapur të për gjitha mediat. Ministri Tahiri tha para anëtarëve të komisionit se me marrjen e detyrës e gjeti policinë të gjunjëzuar. “Bazuar mbi vlerësimin tonë paraprak, situata ishte shumë më keq se pritshmëria jonë, kemi gjetur trembje dhe mungesë totale të vullnetit dhe dëshirës për të përmbushur misione. Policia e Shtetit ishte e gjunjëzuar në momentin kur kam ardhur në unë, sepse si e tillë ishte drejtuar. Ata njerëz me një drejtim të ri po i përgjigjen më së mirë misionit dhe pritshmërisë së qytetarëve për më shumë siguri”, tha ministri Tahiri.
Pritet që të ketë një debat të ashpër ndërmjet deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës. Kjo gjë ka edhe një precedent, pasi në rastin e fundit kur ministri i Brendshëm raportoi përpara deputetëve të Komisionit të Sigurisë, situata për pak sa nuk degjeneroi në një konflikt fizik ndërmjet deputeti Flamur Noka dhe deputetit të PS-së, Pjerin Ndreu. Në mbledhjet e mëparshme të Komisionit Hetimor për shkarkimet janë dëgjuar edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe një pjesë e mirë e punonjësve aktuale, por dhe ish-punonjësve të Policisë së Shtetit. Komisioni Hetimor nisi punën më datë 17 shkurt dhe sipas vendimit të Kuvendit ka një kohëzgjatje prej 2 muajsh, pra pritet të japë konkluzionet e tij më datë 17-prill. Ndërkohë mësohet se deputetët e opozitës po përgatisin shkresën zyrtare për të kërkuar shtyrjen e afatit të punës së tij edhe për një muaj, pasi komisioni është në fazën e hetimeve dhe ende nuk kanë nisur diskutimet për të nxjerrë përfundimet e punës. Të tjerë persona pritet të jenë pjesë e dëgjesave në këtë komision. S.S
Add new comment