Tahiri letër Nishanit: Masa ndaj gjyqtarëve, kanë liruar 25 persona të akuzuar për vepra të rënda penale. Presidenca: Do bëjmë verifikimet e duhura

Postuar në 25 Tetor, 2014 13:09

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, përmes një letre të dërguar sot Presidentit Bujar Nishani, i ka kërkuar të marrë masa ndaj gjyqtarëve të cilët, përmes vendimeve të tyre kanë lënë të lirë, persona që siç thekson ai, janë me rrezikshmëri të lartë, pavarësisht pretendimeve të Prokurorisë për burgosjen e tyre. Në letrën e dërguar, Tahiri i shpreh Presidentit shqetësimin lidhur me këto vendime, ndërsa kërkon prej tij marrjen e masave ndaj këtyre gjyqtarëve. Bashkangjitur me letrën, Tahiri i ka përcjellë edhe 25 raste të lirimit të personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale, mes të cilave, “Plagosje me dashje”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, “Shfrytëzim prostitucioni”, “Armëmbajtje pa leje”, Kundërshtim me dhunë i forcave të policisë” apo edhe “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur”.Për të gjitha këto vepra penale, Tahiri thekson se togat e zeza kanë marrë masa lehtësuese ndaj të akuzuarve, ndërsa ngre pyetjen, se si është e mundur që të gjitha këto vendime nuk përbëjnë shqetësim, apo të jenë marrë në shqyrtim nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas Tahirit, fakte të tilla ulin besueshmërinë e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, duke ngritur aludime për afera korruptive brenda gjyqësorit. Duke shtuar më tej, Tahiri shprehet se kjo është streha e kriminelëve, ku pavarësisht krimeve, dhe arrestimeve nga ana e policisë, ata sërish lihen të lirë me vendimin e gjyqësorit. Në këtë kontekst, Tahiri nënvizon se këto gjyqtarë nuk duhet të ndjehen të pandëshkueshëm, e ndërsa shton se vendime të tilla nuk duhet të mbeten më të pakontrolluara.

Pas letrës që Ministri i Brendshëm, i dërgoi Presidentit të Republikës, ka reaguar ky i fundit. Sipas informacioneve që përcjell Kabineti i Presidentit të Republikës, bëhet e ditur se Institucioni i Presidencës do shqyrtojë këto raste, duke bërë verifikimet e duhura, duke shtuar se animimin do ja përcjellë Ministrisë së Drejtësisë.

 

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.