Të kyçësh qeverinë

Postuar në 03 Tetor, 2013 14:54

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka nisur mbylljen e shumë agjencive pas dështimit të Kongresit për të rënë dakord mbi një ligj të përkohshëm të buxhetit. Kjo është hera e parë në 17 vjet që Qeveria e Shteteve të Bashkuara detyrohet të mbyllet pjesërisht.

Trupat amerikane do të mbeten në detyrë, ashtu si edhe shërbimet e tjera jetike, të nevojshme për sigurinë kombëtare, si: dërgimi i postës, kontrollimi i trafikut ajror, patrullimet kufitare dhe zbatimi i ligjit.

Por, nisur nga e marta që shënoi edhe fillimin e vitit të ri fiskal, shumë shërbime joesenciale janë mbyllur së paku përkohësisht dhe qindra mijëra punëtorë do të qëndrojnë në shtëpi. Parqet kombëtare, muzetë dhe monumentet, përfshirë Statujën e Lirisë, do të mbyllen.

Është e paqartë se sa mund të zgjasë mbyllja. Çdo mbyllje e tejzgjatur mund të ndikojë ekonominë e Shteteve të Bashkuara dhe atë globale, si dhe të çrregullojë jetët e punonjësve federalë, të cilët nuk do të marrin paga.

Ngërçi politik ka të bëjë me masat që kërkojnë grupi i republikanëve opozitarë, për të kufizuar programin e presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, të njohur si Obamacare. Anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve pritet të vazhdojnë bisedimet për një legjislacion të ri të mundshëm. Mbyllja është e para që nga viti 1995-1996, kur Bill Clinton ka qenë president. REL

 

http://www.evropaelire.org/content/article/25122920.html

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.