Të gjitha gjurmët të çojnë te… tkurrja ekonomike

INSTAT-i publikoi më së fundi bilancin e energjisë elektrike për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Ky bilanc na tregon se energjia elektrike e përftuar nga të gjitha burimet (të brendshme e të jashtme) në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 u ul me 4 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2011. Ndërsa prodhimi total i energjisë elektrike në vend u ul me 16.4 përqind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2011-ës.
Të dy këta tregues kanë një korelacion të fortë statistikor me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto (PBB), sepse rritja ose ulja e përdorimit të energjisë elektrike është tregues i rritjes ose uljes së aktivitetit ekonomik dhe konsumit të mallrave, ndërsa prodhimi i energjisë është një komponent i rëndësishëm në PBB-në shqiptare.
Niveli më i lartë i energjisë totale të futur në rrjet dhe i asaj të prodhuar në vend u arrit në tremujorin e parë të 2010-ës – përkatësisht rreth 2500 GWh dhe 2300 GWh. Ndërsa në tremujorin e dytë të 2012, këto shifra ishin në nivelet 1700 dhe 1050 GWh.
Më parë INSTAT-i kishte raportuar se indeksi i volumit të shitjeve të mallrave të ndryshme në tregtinë me pakicë ishte ulur 8.3 përqind në tremujorin e parë të 2012-ës në bazë vjetore, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës, ishte ulur 22.5 përqind.
Pra, të gjithë treguesit e tërthortë që ka publikuar INSTAT-i tregojnë se ka patur një tkurrje të fortë ekonomike. Të shohim se çfarë do të thotë ky institut për PBB-në e famshme, kur, me shumë vonesë, të nxjerrë raportin për të…
E.Zaloshnja
Add new comment