Të arrestuarve në Belgjikë do t’u sekuestrohet pasuria në Shqipëri. Hetim edhe për të afërmit e të dënuarve apo kërkuarve nga drejtësia belge

Një listë me emrat e personave të cilët janë në hetim, arrestuar apo dënuar për vepra të rënda kriminale në Belgjikë, pritet t’i dorëzohet Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të verifikuar dhe sekuestruar pasuritë dhe pronat e ngritura në Shqipëri.
Kjo temë është diskutuar në takimin që kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci pati me kryeprokurorin e Mbretërisë së Belgjikës, Frédéric Van Leeuë.
Siç raporton ABC News, takimi me prokurorin Beci erdhi pas operacionit të përbashkët me prokurorinë belge për arrestimin e 13 shqiptarëve në Belgjikë dhe kontrollin e sekuestrimin e sendeve të vjedhura në banesat e të afërmve të tyre në Shqipëri.
Burimet thanë se operacione të tilla do të vazhdojnë, pasi është një numri i madh i emigrantëve shqiptarë që janë dënuar e shpallur në kërkim nga drejtësia belge, të cilët dyshohet se të ardhurat nga trafiqet e paligjshme, vjedhjet apo edhe krimi i organizuar i kanë investuar në Shqipëri.
Ndërsa në takimin me kryeprokurorin Llalla është rënë dakord për hetimin e pasurive të familjarëve dhe të afërmve të të gjithë shtetasve shqiptarë të hetuar apo dënuar në Belgjikë për vepra të rënda kriminale.
l.m
Add new comment