Surroi i bën portretin Pacollit; dhe nuk kursen ngjyrat e zeza

Postuar në 21 Korrik, 2012 05:24

Veton Surroi nuk ka mendim të mirë për Behgjet Pacollin. Kush nuk e ka ditur, ka pasur rast ta marrë vesh këto ditë. Këtë e thotë vetë Surroi. Madje, është ky që pretendon t’ia ketë thënë në sy vetë Pacollit opinionin që ka për të. Por afërmendsh “nuk kam bërë asnjë kërcënim”, thotë Surroi paraprakisht për të përgënjeshtruar ambasadorin Dell.

Në një takim të kërkuar nga Pacolli e të kryer në zyrën e Surroit (me synimin për t’i kërkuar mbështetje në favor të aventurës presidenciale), Surroi thotë t’i ketë thënë se “nuk do të ishte mirë për Kosovën që ai të zgjidhet president, duke e marrë parasysh rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, mungesën e përvojës, si dhe namin kundërthënës që ka aktiviteti i tij në vende të ndryshme të botës (si për shembull Libia). Për më tepër, në situatën ku Kryeministër është Thaçi, i akuzuar jashtë për tregëti organesh e brenda për vjedhje votash, kombinimi Pacolli-Thaçi do ta vinte Kosovën në situatë të përhershme shantazhi dhe kjo do të shkaktonte dëme të mëdha”.

Në shkrimin e tij të publikuar në Shqip (pjesa e dytë e letrës së lamtumirës për Dell-in), Surroi thotë gjithashtu se Pacolli “ishte njeriu që na e dërgoi Milosheviçi gjatë luftës për të zhvilluar negociata me të, në momentin kur ne kërkonim ndërmjetësim më të madh amerikan, ishte njeriu që i vuri në pozitë të keqe dhjetëra studentë kosovarë, që duhej t’i duartrokisnin kolonelit Gadafi e të vallëzonin para tij, disa muaj para se kundër tij të ngrihej populli libian, vetëm pse Pacolli kishte interesa komerciale në atë vend, ishte njeriu i identifikuar me Azinë Qendrore, oligarkët rusë dhe ish-presidentin Jelcin që mendonte se modeli më efikas i qeverisjes është ai i Kazakistanit”.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.