Statusin kandidat, nëse... etj

Tre ligjet dhe zgjedhjet parlamentare të 2013 do të vijojnë të mbeten çështjet kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat. Një fakt i tillë është theksuar në draftrezolutën që do të trajtojë nesër Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së. Kështu, presidenca qipriote ka bërë të ditur se draft-konkluzioni nuk ka hasur në asnjë kundërshtim nga ambasadorët e përhershëm të shteteve anëtare, ndaj pritet që të ruajë këtë formë në versionin përfundimtar:
"Këshilli vëren rekomandimin e Komisionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, nëse përmbushen masat kyçe në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike dhe pas ndryshimeve të rregullores së parlamentit. Me synimin për të vendosur nëse do të japim statusin kandidat, Këshilli fton Komisionin të raportojë porsa të jetë arritur progresi i nevojshëm, duke marrë parasysh gjithashtu ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla".
Por, lexohet ca më tej "Këshilli nënvizon nevojën për të rritur më tej përpjekjet në fushën e reformave të gjyqësorit për të forcuar pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mbrojtjen e të gjitha minoriteteve dhe zbatimin e të drejtës së pronës".
Zgjedhjet konsiderohen si test edhe për hapjen e negociatave dhe për konsolidimin e institucioneve. "Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin e patrazuar të institucioneve demokratike të vendit" thuhet në draft konkluzionet, që do të trajtohen nesër. Re.Pu.
Add new comment