Statusi dhe një qëndrim i pritshëm i opozitës. Ose më mirë, i drejtuesve të saj

Sot dy njerëzit kryesorë të Partisë Demokratike, ish-kryetari Sali Berisha dhe kryetari aktual Lulzim Basha kanë dalë me qëndrime të posaçme lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Fjala e Sali Berishës ishte e gjatë, ai në konferencën me gazetarët u ndal në përpjekjet e qeverisë së tij për të marrë statusin më herët, e vlerësoi aktin në fjalë, por në finale ka dalë me akuzat e zakonshme ndaj qeverisë aktuale. “Drejtësia ka korrupsion, por mafia është në qeveri”, u shpreh Berisha në përpjekjen e tij të pandërprerë për të ngulitur një identikit politik të kriminalizuar për ekzekutivin aktual. Nga ana e vet Basha i ka bërë jehonë këtij qëndrimi, pa i shtuar asgjë. Nga Kavaja ku ai ishte për Kuvendin Zgjedhor të PD-së ka thënë: “Mirënjohje dhe respekt për kontributin e administratës, të lidershipit politik të PD-së, të qeverisë së Sali Berishës që bëri të mundur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në qershorin e vitit 2006, plotësimin e pyetësorit dhe dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në BE në prillin e vitit 2009, liberalizimin dhe heqjen e vizave në dhjetor të vitin 2010. Natyrisht që do të donim që këtë status ta merrnim më shpejt, ta merrnim dy vjet më parë dhe kur na u rekomandua për herë të parë, por fatkeqësisht opozita e djeshme kishte një tjetër axhendë”. Qëndrimi mund të komentohet në çdo lloj mënyre, por dhënia e statusit u argumentua nga vetë zyrtarët europianë. Kështu që është i pakuptueshëm politikisht ky lloj qëndrimi, aq më tepër që opozitën e sotme nuk e akuzon kush për mungesë vullneti dhe kontributi për integrimin, ndonëse duket se drejtuesit e saj nuk po e gëlltisin lehtë faktin që firma i mbetet qeverisë së majtë. As edhe që tre ligjet, që përjetohen sot si taktikë e opozitës socialiste, nuk vlejnë më si argument, sa kohë që edhe PD-ja sot e kushtëzon pjësëmarrjen e vet në reformat e iniciuara nga qeveria.
s.z
Comments
Nje qeli burgu per te dy keta
<p>Nje qeli burgu per te dy keta vrases te 21 Janarit.</p>
Add new comment