Sot në orën 20 në News24: BAROMETËR24, i pari sondazh periodik në TV-të shqiptare

Postuar në 14 Tetor, 2013 20:45

Sot në orën 20:00, televizioni News24 i bashkohet dhjetra televizioneve në botën demokratike, duke sjellë në Shqipëri BAROMETËR24 – të parin sondazh periodik në TV-të shqiptare. Ky sondazh periodik do të zhvillohet nën mbikqyrjen statistikore të Dr. Eduard Zaloshnjës, bashkpunëtorit të rregullt të respublica.al.

Për të realizuar këtë sondazh, ka sqaruar Dr. Zaloshnja, fillimisht është përzgjedhur një kampion prej 1200 votuesish, nëpërmjet telefonatave të bëra në të gjitha qytetet e vendit. Në përzgjedhjen e kampionit, kriter kryesor ishte përafrimi sa më i saktë i raporteve gjeografike, demografike dhe politike të tij me ato të të gjithë elektoratit urban të Shqipërisë (bazuar në të dhënat e Census 2011 dhe votimin e fundit në çdo qark për tri partitë kryesore dhe për partitë e vogla, të grupuara në parti të mazhorancës dhe opozitës). Në këtë kampion 1200-ësh, ka vetëm votues që kanë marrë pjesë në të paktën njërën nga zgjedhjet e zhvilluara në periudhën 2009-2013.

Rezultatet fillestare do të prezantohen sot në orën 20, në edicionin e parë të BAROMETËR24. Më pas, i njëjti kampion do të ndiqet gjatë 4 vjetëve, duke u anketuar periodikisht me telefon. Në çdo edicion të BAROMETËR24 do të ketë një bateri standarde pyetjesh rreth opinionit të votuesve për politikanët kryesorë, qeverinë, dhe për tri grupet më të mëdha parlamentare. Përveç këtyre pyetjeve standarte, në çdo edicion të BAROMETËR24, do ketë edhe pyetje rreth çështjeve më të nxehta të muajit, për të parë sesi do të jetë i pozicionuar elektorati për çështje të veçanta që debatohen mes mazhorancës dhe opozitës.

Re.Pu.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.