Sondazhet thonë se Barack Obama po udhëheq garën; por ekonomia e dobët mbetet gjyle në këmbët e tij

Romney ishte në avantazh fillimisht. Pastaj, ishte njeriu i zgjedhur si kandidati për zëvendës President, Paul Ryan që i dha një hov fushatës së kandidatit republikan. Më tej, ishte Konventa e republikanëve që i dha edhe ca karburant makinës elektorale të Romney-t. Por kaq. Konventa e demokratëve përmbysi situatën, dhe qysh nga ai moment duket se koha po punon për Obama-n. Dhe jo vetëm koha. Po punon dhe vetë Romney me disa gafa, më e rënda e të cilave ishte kjo e fundit. Në një takim për mbledhje fondesh për fushatën, ai u shpreh në mirëbesim e plot naivitet përpara ca të vetëve (pa e ditur se po xhirohej fshehtas), se “nuk është puna e tij të merret me të varfërit, dhe me ata që as e çojnë nëpër mendje se duhet t’ia dalin vetë, pa ndihmën e qeverisë”.
Sondazhet e këtyre ditëve tregojnë se Obama po fiton terren edhe në ato shtete, ku po sondazhet kanë thënë se gara ka qenë e ngushtë apo në favor të Romney-t. Nga një anketim i bërë nga Quinnipiac University Polling Institute për hesap të televizionit CBS News dhe të gazetës New York Times, rezulton se në Virginia Obama udhëheq me 5% më shumë (51% kundër 46%). Sipas një anketimi të gazetës Washington Post, Obama udhëheq me rezultatin 52-44 përqind, ndërsa një agjenci sondazhesh afër Partisë Demokratike, Public Policy Polling, ka nxjerrë rezultatin 51-45 përqind. E njëjta situatë verifikohet dhe në Wisconsin, ndërsa në Colorado flitet për një avantazh prej 1%-ësh të Obama-s, gjë që shihet si sukses, pasi deri pak kohë më parë atje udhëhiqte Romney me 5% më shumë.
Këto shifra shënojnë shënojnë një trend për momentin, por analistët mendojnë se Obama duhet t’i trembet deri në fund ecurisë ngalakaqe të ekonomisë, e cila motivon elektoralisht një masë të madhe amerikanësh.
Re.Pu.
Add new comment