SMS Nishani-Ruçi...? Presidenca përgënjeshtron

Postuar në 01 Shtator, 2012 03:09

UPDATE - Në delegacionin që shoqëron Presidentin Bujar Nishani në Kosovë nuk ka asnjë anëtar të opozitës. Dje disa nga të përditshmet e kishin vënë në dukje këtë mungesë.

Shkruan e përditshmja MAPO: "Presidenti i Republikës, Bujar Nishani tentoi të shkrijë akujt me opozitën duke kërkuar që në vizitën e tij të parë shtetërore jashtë vendit të ketë përfaqësues edhe nga PS-ja, por selia rozë e la pa përgjigje…" Sipas MAPO-s kreu i shtetit ka ndjekur çuditërisht një rrugë jashtë asaj që parashikon protokolli. "Burime zyrtare të Presidencës" i thanë asaj që "Nishani i dërgoi një sms Ruçit në datën 12 gusht, ku i kërkonte këtij të fundit që në delegacionin zyrtar të merrte pjesë edhe një nga deputetët e qarkut të Kukësit, për shkak të afërsisë së kësaj zone me Kosovën. Në mungesë të marrjes së një përgjigjeje, Presidenca nuk përfshiu më pas në delegacionin zyrtar asnjë deputet të opozitës".

Një SMS? Hëm.. Deputeti Braçe, përshembull e mendon si ato karagjozllëqet e zakonshme të shtetit që sivjet feston 100 vjetorin. Shkruan Braçe: "Presidenti i Republikës ka shkuar pa opozitën në Kosovë! Sot ka mbushur median me faktin se PS ka “bojkotuar” vizitën e tij në Kosovë. E dini si e provon këtë? I ka çuar sms kryetarit të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi!! Kulmi! E kuptoni seç president kemi? E fton opoziten me sms. Nëse ne kemi një president banal, që vepron banalisht e shkakton skandale në Kosovë e Shqipëri, opozita nuk ka asnjë arsye të pranojë banalitetin e tij virtual e real”.

Po të sjellësh në mend përpjekjet e mëdha që ka bërë Berisha për t'ua vizatuar Ramën si djall kosovarëve - një "ftesë" e tillë (që është dhe nuk është ftesë),  është një gjetje e mirë për të thënë më pas "i ftuam po nuk erdhën".

Por nga Presidenca sot është përgënjeshtruar edhe ky variant. Sekretari i përgjithshëm i Nishanit, Bardhi Spahia, ka thënë se PS ka marrë ftesë zyrtare dhe jo më sms. Ai është shprehur se Gramoz Ruçit i është dërguar një ftesë zyrtare që në delegacion të merrte pjesë deputeti i Kukësit, Asllan Dogjani, duke qenë se edhe nga PD, merrte pjesë vetëm deputeti i Kukësit, Fatos Hoxha.

Por, sipas Spahisë, ftesa e Nishanit është refuzuar nga ana e Dogjanit.

(A.N.)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.