Skandali i reklamave qeveritare: Berisha akuzon “shtypin e Edi Ramës”, por Shqipi e refuzon këtë etiketë gratis

Ka ditë që ministri të ndryshme akuzohen se u kanë dhuruar gazetave e televizioneve pro qeveritare qindra mijra euro në formën e reklamave për shërbime të vetat. Përballë këtij skandali ka patur heshtje për ditë të tëra, por më në fund ka reaguar Këshilli i Ministrave. Me gojën e kryeministrit? Jo, me gojën e zëdhënëses së tij, Mëhillit. Çfarë ka thënë Mëhilli? I ka mohuar akuzat? Jo. Nuk është marrë me to. Përkundrazi, është mjaftuar të thotë se “kreu i PS-së, kur ishte kryetar bashkie, të gjitha reklamat, njoftimet televizive dhe ato në mediat e shkruara, ia dhuroi vetëm një televizioni kombëtar e dy lokalë, që ai vetë i kontrollonte, përkatësisht Top-channel-it dhe Vizionit Plusit e News 24-s, si dhe tri gazetave të tij, Shekulli, Gazeta Shqiptare e Shqip”.
Sot binte në sy reagimi i së përditshmes Shqip. “Shpifje të turpshme”, quheshin në një shënim redaksional deklaratat e qeverisë. Në këtë shënim, jepeshin shifrat e përfituara nga bashkia e Tiranës për periudhën 2007-2011, dhe rezultonte se Shqipi kish përfituar për reklamat e publikuara në faqet e saj jo më shumë se 50 mijë euro, një pjesë e të cilave, mbi 1o mijë, janë bllokuar nga administrata e re e bashkisë. Më tej, redaksia e Shqipit refuzonte aluzionin, se kjo gazetë e është e Ramës. “Ylli Manjani, Artan Hoxha, Agim Isaku, etj, të cilët janë të njohur për kritikat e tyre ndaj Edi Ramës, kanë publikuar herë pas here shkrimet e tyre në faqet tona”, thuhet në këtë shënim.
Re.Pu.
Add new comment