Si e shohin analistët dorëheqjen e Borissovit

"Hajdutë, maskarenj, mafia" ishin thirrjet e demonstruesve. Fillimisht protestat nisën për shkak të faturave të larta të rrymës elektrike dhe ngrohjes. Dy operatorët privatë, shoqëria çeke, CEZ, dhe ajo austriake EVN e dyfishuan çmimin e energjisë brenda një viti. Për shumë bullgarë ishte gati i pamundur të paguhej me një pagë mesatare prej 360 eurosh në muaj dhe një pension rreth 150 euro. Dhe Borissov që konsiderohet një i pasionuar pas Bashkimit Europian tha se ai dëshiron të dëgjojë popullin. Kur policia e tij sulet me dhunë kundër popullit, si ndodhi në Sofie të martën, ai nuk mund ta mbajë më këtë përgjegjësi, - tha kryeministri. A fshihen pas kësaj taktika pushteti?
Kabineti i Boiko Borissovit është kabineti i parë qeveritar që jep dorëheqjen që nga anëtarësimi i Bullgarisë në BE. Në të vërtetë Borissov ka interes për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai e parasheh rrezikun e rënies së vlerave në sondazhe për partinë e tij, GERB dhe humbjen e mazhorancës në korrik. Pas dorëheqjes pritet reagimi i presidentit Rossen Plevneliev. Ai ka kompetencën të thërrasë për konsultime për krijimin e një qeverie provizore. Analistët në Sofje mendojnë se si ish-ministër në qeverinë e Borissovit ai do të dëgjojë ish-bosin e tij dhe do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme – shkruan gjermania Deutsche Welle.
Marco Arndt nga fondacioni Konrad Adenauer komenton: “Çmimi i energjisë elektrike ishte vetëm preteksti - në të vërtetë bëhet fjalë për një zhgënjimin e shpresave për rritjen e mirëqenies së bullgarëve. Të ardhurat janë shumë të ulta, prej vitesh nuk vërehet ndonjë rritje e tyre, pensionet nuk mjaftojnë për të jetuar. Sipas një stastistike të një gazete bullgare, 1,5 milionë bullgarë jetojnë nën kufirin e varfërisë."
Kurse Johanna Deimel nga Shoqata e Europës Juglindore në Mynih thotë: "Shkaqet më të thella qendrojnë në masat e gabuara ekonomike dhe socialpolitike të qeverisë. Ato janë një ventil për të ngritur zërin kundër padrejtësisë sociale. Por dorëheqja e qeverisë është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme. Tani po bie ora e populistëve dhe ekstremistëve, qendra do ta ketë shumë të vështirë..." a.n.
Add new comment